Kryeministri i Malit të Zi Dritan Abazoviç ka bërë bilancin 1-vjeçar të qeverisjes së tij.
Ndër projektet rajonale Abazoviç përmendi ndërtimin e urës në Ada Bojana që do të lidhë Malin e Zi dhe Shqipërinë, ndërtimin e autostradës për në Serbi dhe përmirësimin e hekurudhës mes të dy shteteve.
Abazoviç tha se rezultatet e luftës kundër krimit flasin vetë sepse ka pasur “prishje të monopoleve, lidhjeve politike te njerëzve të përfshirë në kontrabandë”. Sipas tij asnjë vend në Evropë nuk ka pasur konfiskime rekord si Mali i Zi.
Ai tha se Mali i Zi ka marrëdhënie të shkëlqyera me të gjitha vendet fqinje, ndërsa përmendi mbajtjen e seancës se përbashkët të qeverisë së Malit të Zi dhe asaj të Shqipërisë. Për Ballkanin e Hapur, Abazoviç tha se Mali i Zi duhet të jetë pjesë e kësaj nisme rajonale.
Ndër rezultatet e qeverisjes, Abazoviç deklaroi faktin se produkti i brendshëm bruto në Malin e Zi arriti në 5.8 miliardë Euro, se papunësia është ulur, se paga minimale arriti në 450 Euro më e larta në rajon ndërsa ajo mesatare në 771 Euro.