Ministri i Brendshëm, Bledi Çuçi, priti në një takim kreun e Interpol, Jürgen Stock. Kjo ishte vizita e parë e Stock në Shqipëri, vizitë që përkon edhe me 100-vjetorin e themelimit të kësaj organizate të rëndësishme të bashkëpunimit policor ndërkombëtar.
“Ndava me të prioritetet kryesore të Shqipërisë në luftën kundër krimit të organizuar, i cili gjithnjë e më shumë po merr trajta transnacionale dhe në këtë kontekst të ri, bashkërendimi gjithnjë e më i mirë i punës mes të gjitha vendeve është rruga e duhur për ta adresuar këtë problem” – thotë Çuçi.
Më tej gjatë takimit, Ministri i Brendshëm theksoi se sot Policia e Shtetit gëzon një nivel të lartë besimi te partnerët tanë dhe është aktualisht në një fazë të re të bashkëpunimit me këtë organizatë dhe me agjenci të tjera ndërkombëtare duke qenë pjesëmarrëse aktive e me rol drejtues në disa raste në Skuadra të Përbashkëta Hetimore e Operacionale. Çuçi foli gjithashtu edhe për modernizimin e Policisë së Shtetit.
“E njoha kreun e Interpol edhe me hapat që ne kemi nisur të hedhim për modernizimin e Policisë së Shtetit përmes investimeve si asnjëherë më parë në teknologji e pajisje digjitale. Ne e çmojmë shumë bashkëpunimin me Interpol edhe për sfida të tjera të sigurisë globale si terrorizmi dhe krimi kibernetik” – u shpreh ndër të tjera ministri Çuçi.