Ukraina e ka akuzuar Rusinë se ka kryer sulme me fosfor në qytetin e Bahmutit.
Në disa pamje të realizuara me dronë, të cilat i ka publikuar ushtria ukrainase, Bahmuti shihet në tym, i cili besohet se ka qenë fosfor i bardhë, duke rënë mbi qytet.
Armët me fosfor të bardhë nuk janë të ndaluara, mirëpo përdorimi i tyre në zonat e banuara me civilë, konsiderohet krim lufte.
Armë të tilla krijojnë zjarre të shpejta, të cilët vështirë lokalizohen.
Rusia është akuzuar edhe në të kaluarën se ka përdorur armë të tilla, sidomos në përleshjet në qytetin tjetër ukrainas, Mariupol.
Forcat ushtarake ruse kanë tentuar të kapin Bahmutin që disa muaj, pavarësisht pikëpyetjeve që ekzistojnë për rëndësinë e tij strategjike.
Zyrtarët perëndimorë kanë vlerësuar se mijëra trupa ushtarake të Moskës kanë vdekur, si pasojë e luftimeve.
Përmes një postimi në Twitter, Ministria ukrainase e Mbrojtjes, ka thënë se sulmi me fosfor ka shënjestruar “zonat e papushtuara të Bahmutit, me municion ndezës”.
Komanda e forcave speciale të Kievit, ka thënë se forcat e Moskës kanë vazhduar “të shkatërrojnë qytetin”.
Fosfori i bardhë, është substancë e cila ndizet, kur të ketë kontakt me oksigjenin, duke shkaktuar tym të bardhë.
Grupi ndërkombëtar për të drejta të njeriut, Human Rights Watch ka paralajmëruar se kjo lëndë kimike “njihet për plagët e rënda që shkakton”.
Fosfori i bardhë ndizet në 800 gradë Celsius, duke shkaktuar djegie të rëndë, nëse prek trupin e njeriut.
Rusia është nënshkruese e Konventës për disa lloje të armëve konvencionale, e cila ndalon përdorimin e atyre armëve, në zonat e banuara me civilë.
Në qytetin e Bahmutit kanë banuar rreth 80.000 banorë, para nisjes së luftës.
Tani besohet se aty gjenden pak ose aspak civilë, për shkak të luftimeve të ashpra./REL