Ish-kryeministri Sali Berisha ka paralajmëruar kryebashkiakun socialist të Kukësit, Safet Gjicin, se sapo PD të vijë në pushtet, do i heqë shtetësinë shqiptare.
Komentet Berisha i bëri gjatë një takimi me qytetarët në Kukës, ku prezantoi kandidatin e koalicionit “Bashkë Fitojmë” për këtë bashki, Admir Sinamati.
Berisha tha se ky vendim ndaj Gjicit do të merret, pasi sipas tij, ai ka prishur përmendoren e Lumës dhe është i përfshirë masivisht në krim elektoral me blerje votash.
“Edi Rama është një vasal i Vuçiçit. Edi Rama gjatë këtyre viteve në pushtet, ka bërë gjithçka që të mbështesë Vuçiçin. I shpalli luftë të ftohtë Kosovës nga Tirana. Këtë mund ta bëjë vetëm një anti-shqiptar. Për ne Kosova është e para dhe nuk ka asnjë lloj dyshimi. Ata e kanë për nder miqësinë me Vuçiçin. Vuçiçi është ai që është i regjistruar me zë e më figurë kur thoshte në Parlament, që për një ser btë vrarë, do të vriteshin 100 myslimanë.
Safet me aktet që ke bërë do të tërhiqet qytetaria e Kukësit dhe sapo të vijë PD do të të heqë shtetësinë fare. Zoti i ruajt bankat nga ty Safet. Pasioni juaj për krimin elektoral do të të ndjekë deri në ditën e fundit të jetës tënde. Shtetësia shqiptare do të hiqet për aktin makabër që ke kryer ti. Ke prishur përmendoren e genocidit të Lumës. Zgjedhjet këtu në Kukës janë për të gjithë Shqipërinë. Kukësi duhet të ndëshkojë Ramën dhe Safetin dhe t’i dekorojë Vuçiçi. Këtu nuk duhet të kenë vend.
Safet, me ty dhe Rexhën kam një fjalë të veçantë. Të dy ju në datën 15 do të themeloni partinë e pabesisë. Ju pasi tradhëtuat u paraqitët si socialist. Asgjë të përbashkët nuk keni ju me asnjë socialist dhe asnjë demokrat”, u shpreh Berisha.