LUIZI FITOI…! Ky mashtrues i vockël dhe përtac është Mbreti i Shpresës?? PO! Dhe kjo e ka një shpjegim…

 

Luizi fitoi…! Sepse të gjithë shqiptarët protestuan, me pankarta-sms në duar, sipas metodës së re të mosbindjes civile, me telefon! Sms-të i shpëtuan të gjithë nga anonimati, frika, identifikimi antiqeveritar, antiopozitar, antipolitik.

Luiz Ejlli nga Shkodra i shpëtoi.

Miliona votuan dhe Luizi fitoi, jo çmimin, ai është shumë pak. Fitoi kurorën e mbretit të shpresës. Fitoi kurorën që e kanë zhyer të gjithë vipat e shqiptarisë bashkë.

Kush Luizi? Ky mashtrues i vockël ordiner, parazit, talent’humbur, përtac & llapaqen profesionist?! Ky është mbreti i shpresës?? Po “Luizi”, me mbiemër apo pa mbiemër, nga Shkodra ose Vlora, pak rëndësi ka. Por po, Luizi!

Luizi që sfidoi jo konkurrentët e Big Brother-it, të cilët nuk e kuptuan kurrë kë kishin përballë dhe përse “magjia” dhe gërrhitja e tij nuk luftohej dot. Ata nuk e kuptuan kurrë që “Luizi” nuk ishte ai vetë, por të gjithë ata shqiptarë… me miliona.

Të gjithëve bashkë nuk mund t’ua dalësh dot. Nuk ua vjedh dot mesazhet “zgjedhjet”, se janë shumë “luizejllër”.

Ata gjetën tek ai, Saliun e ’91, bjond e kokëblu bashkë, pikasën Ramën e 2013, “azer xhevapin dhe mashtruesin e demokracisë”, pikasën “shkërdhatokracinë” e Nanos kur të linte “xhenazen” dhe vetë shtetin në bixhoz, gjetën këngët, e reja e të vjetra të çdo treve e tavoline që Luizi ua shtroi me kërcimin e tij atipik, në televizor.

Ata gjetën tek “Ejlli” dështimin që kthehet në trofe brenda “1” dite.

Sa hap dhe mbyll sytë ata, si Ejlli u bënë milionerë, me vajzën më të bukur trofe në krah, me makinën më luksoze që vozit pa semaforë në Tiranë e Prishtinë. Me vëmendjen totale që Kadare, Rexhep Qosja bashkë me Mbretin Charles do e kishin zili! Jo të gjithë shqiptarët i njohin të tre njëherësh, por Ejllin, të vetmin Luiz, po!

Etja për ta dërguar në piedestal, nevoja për ta mbajtur në krahë, histeria për ta kurorëzuar dhe dufi për ta shpallur mbret e ka një shpjegim. E ai nuk është Big Brother, por Big Hope.

Luiz Ejlli ndezi shpresë, atë që humb bashkë me popujt në fund fare… edhe pse ai ka gjithë ingredientët e antiheroit. Askush nuk ia pa ecjen e çalë, sjelljen banale që pështynte vrer sa herë irritohej. Askush nuk donte të shihte thellë a cekët në historinë e tij personale që kudërbonte erë brenda e jashtë Big-ut.

Të gjithë e donin fitues me kurorë dhe u tërbuan kolektivisht, deri sa ia dolën.

Luizi është fitues!

Me të u rikthye për një çast të vogël të papërsëritshëm, shpresa për të gjithë shqiptarët, jo vetëm nga Konispoli në Vermosh por që nga Nju Jorku deri në Zelandën e re.

Luizi rrëzoi palaçot e politikës me mungesën totale të perfeksionit të vet. Shkallmoi palo vipa-t e artit, medias dhe biznesit me vipllëkun e vet. Të gjithë iu fshehën atij, duke u përulur e servilosur para urraganit “Ejlli”. Cilido prej këtyre që do t’i afrohet pas kësaj, do ketë friken e thellë se, mos Luizi kthehet nga populli dhe e shpotit; Ee shqiptarë…e shihni kët’ çapaçulin ç’bën për pak “luiz”!!

Vajzat dhe gratë shqiptare pranuan harbutërinë “Luiz” jashtë dhe brenda shtëpisë BB, pa e kuptuar as vetë përse duhej duruar e gjithë kjo padrejtësi maskiliste. Përse duhej votuar ky dashuriprerë?! Të gjitha e dinë se puthja, unaza, përbetimi, lotët, martesa dhe fëmija nuk do i shpëtojnë dot nga “Luizi” i vërtetë shqiptar me lloj e soj mbiemri.

Por ato u pajtuan me turmën shpërthyese që e donte Ejllin mbret, sepse si gjithë burrat e rrënuar për 32 + 45 vjet, edhe ato donin t’jua përplasnin surratit gjithë maskarenjve barbarë, ‘luizin’. Atyre që ua përdhunuan nderet e hiret pa asnjë histori romantike sado të genjeshtërt. Bastardëve që u vdiqën shpresën, bashkë me rininë e vjedhur ndër ëndrra të zhgjendërruara.

Të gjitha dhe të gjithë, protestuan sapo gjetën një motiv, një emër: Luiz Ejllin.

Ndaj dhe Luizi fitoi!!!

Marrë nga Gazeta DITA

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *