Ish-kryeministri Sali Berisha është shprehur se krimi elektoral nuk do të falet. Berisha është ndalur tek një video e publikuar më herët pas një denoncimi të bërë nga një punonjëse e Shkollës 9-vjeçare të fshatit Suk, se ishte kërcënuar nga kryetarja e Bashkisë së Roskovecit Majlinda Bufi, me vendin e punës.
“Majlinda kërcënon zgjedhësit. Unë i them se krimi elektoral nuk do të falet kurrë. Do të përgjigjesh deri në ditën e fundit”, u shpreh Berisha.
Gjithashtu gjatë fjalës së tij në Fier, Berisha tha se kandidatët e kryeministrit Edi Rama kanë kërcënuar qytetarët.
“Kandidatët e Edi Ramës vijnë nga bodrumet e tij. Subashi i Fierit është një nga hajdutët më të pamëshirë. Çfarë është kandidati në Patos, një burrë që e ka gruan në arrati për vjedhje. Ajo ka punuar në Kadastrën e Sarandës, është në mandat arresti nga ky shtet. Ajo është në Londër, por i paguan me valixhe eurot Edi Ramës dhe emëron burrin për kryetar bashkie të Patosit. A ka krim më të shëmtuar se kjo? Ajo është një kriminele që shpërblehet duke emëruar burrin kandidat për kryetar bashkie në Patos. Majlinda e Roskovecit një kriminele elektorale e pamëshirë. Majlinda është edhe ndrikull droge. I del shoferi me kokaine dhe reduktohet nga prokurorët e partisë. Majlinda kërcënon zgjedhësit. Unë i them se krimi elektoral nuk do të falet kurrë. Do të përgjigjesh deri në ditën e fundit”, tha ai.