Tom Doshi fushatë në Shkodër, KQZ dhe Yuri Kim ‘mbyllin sytë’

Kreu i Partisë SocialDemokrate, Tom Doshi duket se është shumë aktiv në zgjedhjet lokale për qarkun e Shkodrës. Në ditë të ndryshme, Tom Doshi ka kërkuar nga qytetarë të Bashkive të ndryshme që të votojnë kandidatët e Partisë Socialiste. Dje, Doshi doli në mbështetje për një fitore të thellë për konfirmimin e Fran Tuci në krye të Bashkisë së Fushë Arrëzit.

Për Bashkinë e Shkodrës, Tom Doshi thotë se nuk do ta kursejë mbështetjen për Benet Becin, por pranon se është një menaxher i mirë, që sot i duhet qytetit.

“Do jemi makineri votash edhe në këto zgjedhje, jo vetëm në Shkodër, por në të gjithë Shqipërinë. Becin e njoh personalisht, nuk është njeri politik, por menaxher i zoti. Mund të them që është më i zoti në të gjithë Shqipërinë. Ka menaxhuar Fondin e Zhvillimit në kohë të Berishës dhe Ramës. Projektet që ka paraqitur për Shkodrën janë ambicioze dhe unë kam besim.

Sot në Shkodër akoma diskutohet shtrimi i rrugëve, uji i pijshëm, kanalizimet, është shumë e rëndomtë. Për 30 vjet bashkia ka pasur mundësi që t’i bëjë këto punë. Për sa i përket marrëdhënieve me bashkinë, për mua fajtore është e djathta, sepse kryetari i bashkisë nëse do takohem me kryeministrin, baza e quante tradhtar. Kryetari aktual në detyrë nuk ka marrë pjesë në mbledhjet e këshillit bashkiak. I ka përbuzur sepse përbëhet nga e majta. Ky është minus dhe duhet ndryshimi që të bashkëpunojnë bashkia me qeverinë. Unë mendoj që Benet Beci është fitues. Ne sot jemi bashkuar të gjithë faktorët. Po të marrim për bazë votat e 2021, PS, PSD dhe bashkë me votat e Gon Çelës, që është bashkuar sot me PS, ne jemi mbi 3 000 vota para. Përçarja brenda PD sot është e rëndësishme, PD e vulës është për këshillin dhe pjesa më e madhe e tyre nuk do votojnë për Bardh Spahinë,”- tha Doshi në një intervistë për “A2CNN”. Megjithatë fushatën e ka ‘shtrirë’ në të gjitha Bashkitë e qarkut Shkodër: Fushë-Arrëz; Malësi e Madhe; Pukë; Shkodër dhe Vau i Dejës.

Por gjithashtu shtoi se PSD është në gara për këto bashki vetëm për Këshillat Bashkiakë.

“Jemi në garë vetëm për këshillat bashkiak, por PSD mbështet kandidatin e PS në Shkodër dhe të gjithë Shqipërinë,”-shtoi ai, duke i ftuar qytetarët që të votojnë numrin 8, që ai ka në fletën e votimit.

Por aktivitetin e Tom Doshit e ka vënë re edhe kryedemokrati Sali Berisha, i cili e akuzon ish-deputetin si blerës votash dhe se ka kryer krim elektoral duke blerë vota e duke i shërbyer xhepit dhe pasurisë së tij.

Isha në Fushë Arrëz, në Pukë, këtu, kudo si hije më del emri i Tom Doshit. Do të pyes pak këtu, Tom, hajde më thuaj këtu çfarë ke bërë ti për këta banorë? Unë jam njeri që respektoj lirinë e tjetrit, por, emri yt në Fushë Arrëz, Pukë, këtu edhe në Shkodër qarkullon si votëblerësi më i madh, por ky është krim elektoral monstruoz. Vjen nxjerr lista deputetësh e kandidatësh, na thuaj pak çfarë ke bërë ti për banorët? I ke shërbyer xhepit dhe pasurisë tënde. Je një ushtar i të keqes, më mirë t’i shërbeje Vuçiçit. Duke i shërbyer Ramë për vota, ai të bën favore të tjera, dhe partinë e more nga një kriminel elektoral,”- tha Berisha.

Për aktivitetin e Tom Doshit në këto zgjedhje në këtë koalicion jozyrtar, e gjithashtu të papërmendur kurrë nga kryeministri Edi Rama, nuk ka asnjë koment nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve. Heshtja ka kapluar edhe nga ana e ambasadores amerikane Yuri Kim, e cila në zgjedhjet e kaluara e kishte vendosur në shënjestrën kryesore. Votimet e kaluara parlamentare, ambasadorja Yuri Kim iu rikujtonte shqiptarëve postimin e Departamentit Amerikan të Shtetit të vitit 2018, që shpallte “non grata” Tom Doshin, në SHBA. Drejtuar palëve politike, ambasadorja bënte thirrje të reagonin ndaj përfshirjes së Doshit në listat e kandidatëve për deputet, në zgjedhjet e 25 prillit.

“Kemi vënë re që Partia Demokratike dhe të tjerë nuk e duan në Parlament dikë që është përfolur për korrupsion. Të tjerëve u them: Nga çfarë keni frikë? A është e “dobishme” që të qëndrojmë të heshtur? Pse i lini njerëzit që të mendojnë se jeni aleatë? Kjo është ajo që mendoni se meritojnë votuesit? Shqipëria meriton më shumë,”-shkruante ajo.

Megjithatë këto zgjedhjet duket se i ka “mbyllur sytë” për fenomenin “Doshi”.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *