Një javë para zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare të Turqisë, presidenti i vendit Rexhep Tajip Erdogan mbajti një tubim masiv në Stamboll të dielën, me të paktën 1.7 milionë njerëz të pranishëm sipas vlerësimeve zyrtare. Tubimi u mbajt në aeroportin Atatürk të Stambollit.
Erdogan po përballet me zgjedhjet më të vështira pasi popullariteti i tij u godit nga inflacioni në rritje dhe për shkak të kritikave për mënyrën e menaxhimit të situatës pas tërmetit shkatërrues të 6 Shkurtit në Turqinë Jugore ku humbën jetën mbi 48 mijë njerëz dhe mijëra të tjerë u plagosën.
Zgjedhjet në Turqi do të zhvillohen më 14 maj. Në fletën e votimit presidencial, qytetarët turq do të zgjedhin midis Presidentit Recep Tayyip Erdogan, i cili kërkon rizgjedhjen në krye të vendit, kandidatit kryesor të opozitës Kemal Kilicdaroglu, Muharrem Ince dhe Sinan Ogan.
Ndërkohë, 24 parti politike dhe 151 kandidatë të pavarur po konkurrojnë për vende në parlamentin turk prej 600 anëtarësh.