Një muaj pas zbulimit të 8 armëve të zjarrit tip GLOCK në portin e Durrësit, SPAK u ka kërkuar sërisht ndihmë britanikëve për të gjetur pronarët dhe porositësin e tyre.
Mësohet se në Londër ka mbërritur një tjetër letër, ku autoriteteve angleze u lihen 9 detyra mbi të cilat duhet të kthejnë përgjigje.
Sipas të dhënave mbi provat e siguruara në furgonin e bardhë me targa angleze që drejtohej nga Jetmir Koloshi, SPAK kërkon informacion mbi adresën ku supozohej të shkonte tavolina ku ishin fshehur armët dhe për personin që ndodhet në këtë adresë.
Krahas pyetjeve të nisura në Londër, policia dhe prokuroria po punojnë për identifikimin e personave të cilët kanë dorëzuar edhe porosinë tek agjensia e transportit.
Sipas pamjeve të kamerave të sigurisë dallohen dy persona që parkojnë automjetin përballë agjensisë dhe nga aty i drejtohen zyrave me tavolinë në dorë.
Pas kryerjes së pagesave dhe shënimit të adresës ata largohen sërisht nga drejtimi i spitalit privat.
Pavarësisht se armët në dukje ishin të reja SPAK ka kërkuar që atyre t’i bëhet një akt ekspertimi nëse janë përdorur në ngjarje të ndryshme kriminale.
Për këtë ngjarje janë në burg shoferi i agjensisë Jetnor Koloshi, i cili është shprehur se bën vetëm transportin dhe nuk merret me porosinë. Ndërkohë kjo agjensi është lejuar të vijojë punën deri në përfundimin e hetimeve.
Për këtë rast SPAK, ka pasur informacion dhe dosja tashmë regjistruar për akuzën e “Trafikut të armëve” kryer në formën e “Grupit të Strukturuar Kriminal”.