Ish-kreu i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Kristaq Kume, është shprehur se palët kryesore politike, kryesisht maxhoranca që është edhe në pushtet, nuk dalin në fushatë të tregojnë se çfarë kanë realizuar dhe çfarë do të bëjnë ndryshe, por vetëm shajnë kundërshtarin. Në një intervistë Kume tha se fushatës i mungojnë programet dhe kandidatët nuk flasin për objektivat e tyre, pasi sipas tij, liderët politikë “i mbysin”, pra nuk i japin hapsirën e duhur.
Kume: Pse nuk thonë këta çfarë kanë realuzuar dhe çfarë do të bëjnë ndryshe. Këta nuk thonë gjë tjetër veçse shajnë tjetrin. Nuk kemi pse ti largohemi termit politik, fushata le të jetë politike. Mesazhin politik duhet ta përcjellin liderat. Por përtej kësaj mungon çdo gjë. Kandidatët nuk thonë asnjë fjalë, si do ta bëjmë këtë gjë… Pse? Sepse i mbysin këta. Ku janë këshilltarët? Cilët janë këshilltarët? Pse nuk flasin. Kjo që po ndodh sot në këtë proces zgjedhor, është e njëjta që ka ndodhur më parë në të gjitha proceset zgjedhore. Unë nuk them që kjo fushatë duhet të jetë politike, duhet ta ketë patjetër komponentin politik.