Gara për Elbasanin/ Boçi: Llatja fshihet në hijen e Ramës dhe Gjiknurit

Kandidati i koalicionit Berisha-Meta për bashkinë Elbasan, Luçiano Boçi thotë se garën për 14 majin nuk e ka me kandidatin aktual Gledjan Llatja por me drejtuesin politik të qarkut dhe kryetarin e PS.

Në një intervistë për Report Tv Boçi u shpreh se Llatja fshihet pas hijes së Edi Ramës dhe Damian Gjiknurit. Ashtu si Berisha që bën thirrje për përballje në studio live me Ramën, edhe Boçi e kërkon me Llatjan.

“Kryetari aktual rri në hije, nuk shfaqet si personazhi kryesor. I pëlqen se kompenson keqqeverisjen dhe rezultatet e asaj që ka bërë në Elbasan. Herë fshihet pas Gjiknurit dhe ai që bën sulmet ndaj meje. Luftën nuk e kam me kandidatin. Në radhën e luftës herë del Rama, herë del Gjiknuri. E kam ftuar disa herë që Llatja të vijë të përballet në studio e të shpalosim vizionin për Elbasanin. Unë dhe kundërshtari të marrim pjesë në debate publike se i shërbejmë qytetarëve”, tha Boçi.

Sipas Boçit, qytetari ka nevojë për zgjidhje, jo për konflikt e retorikë. Një koment e kishte edhe për fjalët e Ramës, kthehet pas në kohë kur mori pushtetin në vitin 2013 dhe i thotë se të gjithë kanë familje dhe preken nga të sharat.

“Rama është një njeri që e adopton të keqen si pjesë e identitetit të vet dhe mundohet ta shfaqë në shumë komunikime dhe madje e shtyn në ndërtimin e marrëdhënieve. Kjo është natyra e Ramës, kështu ka ekzistuar në politikë, është stili i tij dhe ka ardhur koha të zëvendësohet se njerëzit janë ngopur, shqiptarët janë ngopur. Rama ky është dhe nuk impresionohem prej tij, ndaj kam ruajtur qetësinë. Kur Rama mori pushtetin në 2013, doli në studio dhe bënte rolin e të sulmuarit, ndaj tij ishte hedhur baltë pretendonte sa të afërmit e familjarët nuk gjenin vend ku të futeshin. Më është dhimbsur nga ana njerëzore dhe tani, Rama ka marrë rolin e atyre që kanë qejf të godasin e të sulmojnë në mënyrë të padrejtë dhe harron që jo vetëm ai ka familje. Ramën e kam falënderuar që më shan publikisht.

Ne jemi në betejë për drejtimin e një bashkie. Përballja ime është me kryetarin aktual nga pikëpamja formale, nga ajo reale e kam për sfidën për bashkinë. Rama kërkon t’i japë ngjyrime politike. Kërkon të forcojë pjesën e së majtës, të ndezë emocionin politik te qytetarët që s’kanë vlerësim të madh për mënyrën si është qeverisur Elbasani dhe Shqipëria”, tha Boçi.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *