Nuk ishin vetëm bombardimet me avion, marrja e territorit me armatën e tankeve dhe as bombardimi me regjimentet e artilerisë së rëndë. Operacioni “Barbarosa” pjesë e “luftës rrufe” të ideuar nga Adolf Hitleri, u fut në territorin e Bashkimit Sovjetik me 190 divizione.
Por në luftën e zhurmshme e plot eksplozione, mes nazistëve të Hitlerit dhe sovjetikëve të Stalinit, spikati dhe një luftë e heshtur, milimetrike e me një durim të pamat, për t’i hequr qafe një e nga një kundërshtarët. Ishte lufta e snaiperistëve…
…Falë filmit “Armiku te porta” Vasili Zaitsev u bë snaiperisti më i njohur në botë. Ai shërbeu në regjimentin e pushkatarëve 1047. Zaitsev u shkollua si snaiper në fabrikën Meriz. Është llogaritur se kadetët që u trajnuan aty kanë vrarë mbi 3000 ushtarë armiq.
Vetëm Zaitsev është konfirmuar se ka vrarë 242 njerëz, mes tetorit 1942 dhe janarit 1943, por numri i vërtetë është më i madh dhe informacionet e mëtejshme thonë se ky numër mund të shkojë deri në 500.
Por gjatë ditëve të Luftës së Dytë Botërore një tjetër snaiperiste do të ishte ballë për ballë me armikun. Kjo ishte Ludmilla Pavliçenko, e njohur më së shumti si “Zonja Vdekje”.
Ajo u bë më e famshmja nga 2000 snaiperet femra të ushtrisë sovjetike. Në periudhën shtator 1942 – janar 1943 asaj i faturohet vrasja e 309 ushtarakëve të forcave gjermane. Por Ludmilla me armën e saj do të asgjësonte dhe 36 nga snaiperistët e forcave të ushtrisë së Rajhut III.
Lufta e Dytë Botërore
Ludmilla Pavliçenko ishte një snajper sovjetike – e lindur në Ukrainë – gjatë Luftës së Dytë Botërore. Me 309 vrasje në skedë, ajo vlerësohet si një nga snaiperistet kryesore ushtarake të të gjitha kohërave, dhe snaiperja femër më e suksesshme në histori. E lindur në Bila Tserkva, më 12 korrik 1916, Pavliçenko u transferua në Kiev me familjen e saj, në moshën 14-vjeçare.
Aty ajo u bashkua me klubin e qitjes OSOAVIAKhIM, ku zhvilloi një mprehtësi amatoriale. Në qershor të 1941-shit 24-vjeçarja Pavliçenko ishte në vitin e katërt të studimeve për histori, në Universitetin e Kievit, kur Gjermania nisi pushtimin e Bashkimit Sovjetik.
Pavliçenko ishte ndër të parat vullnetare që u regjistruan në zyrën e rekrutimit, ku ajo kërkoi të bashkohej me forcat e këmbësorisë. U caktua në Divizionin e 25-të të Armëve të Ushtrisë së Kuqe.
Pavliçenko kishte mundësinë të bëhej infermiere, por nuk pranoi: “U bashkova me ushtrinë kur gratë ende nuk ishin pranuar“, është shprehur ajo. Atje ajo u bë një nga 2000 snaiperet femra në Ushtrinë e Kuqe, nga të cilat rreth 500 i mbijetuan luftës. Pavliçenko bëri dy vrasjet e para si snaipere pranë Belyayevka, duke përdorur një pushkë gjysmë-automatike “Tokarev SVT-40”, me pamje teleskopike 3,5X.
Ajo luftoi për rreth dy muaj e gjysmë pranë Odesës, ku regjistroi 187 vrasje. Kur rumunët morën kontrollin e Odesës, njësia e saj u dërgua në Sevastopol, në gadishullin e Krimesë, ku ajo luftoi për më shumë se tetë muaj. Totali i vrasjeve të bëra prej saj, të konfirmuara gjatë Luftës së Dytë Botërore, ishte 309, përfshirë 36 snaiperë armiq.
Në qershor të 1942-shit Pavliçenko u plagos. Për shkak të statusit të saj në rritje, ajo u tërhoq nga luftimet më pak se një muaj, që t’i shërohej plaga. Pavliçenko u dërgua në Kanada dhe Shtetet e Bashkuara për një vizitë publicitare dhe u bë qytetarja e parë sovjetike që u prit nga një president amerikan, kur Franklin Rusvelt e priti në Shtëpinë e Bardhë. Pavliçenko u ftua më vonë nga Eleanor Rusvelt për të udhëtuar në Amerikë, në lidhje me përvojat e saj. Ndërsa u takua me reporterët në Uashington D.C., ajo u mërzit për llojin e pyetjeve të bëra ndaj saj.
“Një reporter, madje, kritikoi gjatësinë e pantallonave të uniformës sime, duke thënë se në Amerikë gratë veshin funde më të shkurtra dhe, përveç uniformës sime, më bëri të dukem e dhjamosur“, është shprehur Ludmilla. Pavliçenko u shfaq para Asamblesë Studentore Ndërkombëtare që po mbahej në Uashington D.C., dhe më vonë mori pjesë në takimet e CIO-s ku bëri prezantime dhe mbajti fjalime në New York City dhe Chicago. Në Chicago ajo qëndroi para turmave të mëdha, duke i thirrur burrat për të mbështetur frontin e dytë. “Zotërinj, – tha ajo, – unë jam 25 vjeçe dhe kam vrarë 309 pushtues fashistë deri tani.
A nuk mendoni ju, zotërinj, që jeni fshehur pas shpinës sime për shumë kohë?” Fjalët e saj e afruan turmën, duke shprehur mbështetjeje të madhe për fjalët që ajo tha. Shtetet e Bashkuara i dhanë asaj një pistoletë gjysmautomatike “Colt”.
Në Kanada ajo u prezantua me një pushkë me pamje Winchester, e cila tani ndodhet në një ekspozitë në Muzeun Qendror të Forcave të Armatosura në Moskë. Ndërsa vizitoi Kanadanë së bashku me shokët e saj snaiperistë, Vladimir Pchelintsev dhe komisarin Nikolai Krasavchenko, ata u përshëndetën nga mijëra njerëz në Stacionin e Bashkimit, në Toronto.
Të premten e 21 nëntorit të vitit 1942, togerja Pavliçenko vizitoi Coventry, në Mbretërinë e Bashkuar, dhe pranoi donacionet prej 4516 £ nga punëtorët e Coventry për të paguar tri njësi me rreze X për Ushtrinë e Kuqe.
Ajo gjithashtu vizitoi rrënojat e Katedrales Coventry, punëtorët e Alfred Herbert dhe Fabrikën e Makinave Standarde, nga ku ishin grumbulluar shumat e fondeve. Më herët gjatë ditës, ajo kishte inspektuar një fabrikë në Birmingham.
Pasi arriti gradën e majorit, Pavliçenko nuk u kthye më kurrë në luftime, por u bë një instruktore dhe trajnere për snaiperët sovjetikë deri në fund të luftës. Më 1943 asaj iu dha “Ylli i Artë i Heroit” të Bashkimit Sovjetik e u nderua edhe në një pullë postare sovjetike.
Epilogu
Pas luftës ajo përfundoi arsimin në Universitetin e Kievit, dhe filloi karrierën si historiane. Nga viti 1945 deri në vitin 1953 ishte asistente kërkimore e shefit të SHP të Marinës Sovjetike. Më vonë u bë aktive në Komitetin Sovjetik të Veteranëve të Luftës. Pavliçenko vdiq në 10 tetor 1974, në moshën 58-vjeçare dhe u varros në varrezat e Novodevichye-s në Moskë.
Rekordi i luftës së Pavliçenkos u njoh në Bashkimin Sovjetik nga dy pulla përkujtimore me portretin e saj. Ndërsa në Shtetet e Bashkuara përkujtohet nga një këngë (“Miss Pavlichenko”) e kompozuar gjatë Luftës së Dytë Botërore nga grupi “Folk Sia”.
/Burimi: ‘Fjala.al’/Autor: L. Veizi/Përshtati: Priza.al/