Kryetari i Kuvendit Komunal të Zubin Potokut, Slavisha Bishevaç nga Iniciativa Qytetare për Zubin Potokun ka dhënë dorëheqje nga kjo pozitë. Mediat serbe raportojnë se ku vendim është marrë me qëllimin për të penguar marrjen e detyrës nga kryetari i sapozgjedhur, Izmir Zeqiri.
Bishevaq mori pozitën e kryetarit të Kuvendit Komunal në këtë komunë pasi serbët e veriut u larguan nga institucionet në nëntor të vitit të kaluar. Kjo iniciativë thotë se zgjedhjet e jashtëzakonshme në veri nuk janë organizuar në kushte demokratike.
“Dëshiruam që ta ndalojmë marrjen e detyrës nga kryetari i ri, duke dhënë dorëheqje nga posti i kryetarit, i cili duhet ta thërrasë atë kuvend. Në këtë mënyrë duam të pengojmë që kryetari i ri të marrë detyrën në Zubin Potok, ku shumica absolute e popullsisë janë serbë”, thanë nga Iniciativa Qytetare.
Këshilltarët e Kuvendit Kumunal nga ky subjekt politik nuk kanë dhënë dorëheqje. Kanë thënë se do të dorëhiqen nëse zgjidhet zyrtarisht kryetari i ri.