Kryetari i Partisë së Lirisë ka zhvilluar ditën e sotme një takim elektoral me mbështetësit e koalicionit “Bashkë Fitojmë” në Pogradec në kuadër të zgjedhjeve të 14 majit.
Nga atje Meta ka deklaruar se bashkia e Pogradecit është në prag të falimentimit pasi ka miliarda lekë borxhe, ndërsa shtoi se në vend po nxitet shpopullimi dhe largimi i rinisë.
Meta komentoi më tej deklaratat e Ramës nga Himara, duke thënë se kryeministri “hungërinte” për shkak se e di që është i ikur.
“Bashkia e Pogradecit është në prag të falimentimit, ka miliarda lekë borxhe dhe padyshim që kryetari do ikë sepse kishte çdo mundësi të bënte diçka dhe nuk bëri asgjë të mirë për këtë komunitet kaq punëtor dhe paqedashës e patriot. Pogradeci ka vuajtur nga shpopullimi dhe largimi i rinisë. Një vend pa rini është si një shtëpi pa fëmijë.
T’i japim fund kësaj qeverie që po largon të rinjtë. Këtu po nxitet shpopullimi në mënyrën më të dhimbshme nga trevat shqiptare. Pogradeci do i bashkohet ndryshimit të vendosur nga Tropoja në Kukës deri në Sarandë e Konispol. Prandaj hungërinte ashtu në Himarë, ai është i ikur. Do vazhdojë me hallet e tij sepse u bënë 11 vjet dhe ka një bilanc katastrofik. Kemi gjysmën e buxhetit të Kosovës, por ata i mbështesin studentët e pensionistët, i gjejnë 100 euro shtesë.”, deklaroi ai.