Gjykata e Apelit të Juridiksionit të Përgjithshëm ka publikuar vendimin e arsyetuar, me të cilin vulën e Partisë Demokratike iu dha Enkelejd Alibeajt.
Ndër të tjera në arsyetim thuhet se “Vendimi i gjykatës së shkallës së parë, ka anashkaluar provat, duke konsideruar mbledhje të Kuvendit Kombëtar të PDSH, një tubim të organizuar nga persona të caktuar jashtë institucioneve të Partisë”.
Në vendimin e Apelit thuhet se “Konkluzioni i gjykatës së shkallës së parë se Kuvendi Kombëtar i Partisë Demokratike është thirrur në mënyrë të ligjshme nga një numër 25 anëtarësh/delegatësh më i madh se 1/4 e numrit të përgjithshëm të anëtarëve të tij, nuk mbështetet në ligj, statut dhe në prova”.
“Gjykata e Shkallës së Parë në mënyrë të gabuar dhe të paligjshme ka marrë të provuar faktin se një grup deputetësh dhe politikanësh të tjerë të Partisë Demokratike, në datën 10 Nëntor 2021 kanë depozituar në zyrën e Kryetarit të Këshillit Kombëtar të PD më shumë se 4200 formularë kërkesash të delegative të Kuvendit Kombëtar të Partisë Demokratike, për mbajtjen e Kuvendit Kombëtar të PDSH në datën 11.12.2021 në oren 11.00. Për këtë qëllim, Gjykata e Shkallës së Parë shprehet se ka marrë dhe ka administruar provën nr. 24 bashkangjitur kërkesës së palës kërkuese të datës 23.03.2022 Për të provuar pretendimin e saj. Gjykata shprehet se ka analizuar disa prova. Gjykata shprehet se ka verifikuar nëse shtetasit nënshkrues të thirrjes së Kuvendit Kombëtar përfshiheshin në listën emërore të funksionarëve të PDSH të cilët, në momentin e thirrjes se tij, përbënin listën e anëtarëve të Kuvendi Kombëtar. Për këtë qëllim gjykata pretendon se ka administruar provat shkresore, konkretisht provën nr. 3, nr. 4 dhe nr. 22, duke dalë në konkluzionin se listat bashkëngjitur këtyre dokumentave përbëjnë listë të plotë zyrtare dhe të detajuar të shtetasve të cilët përbënin Kuvendin Kombëtar të PDSH, në momentin e thirrjes së tij nga anëtarësia”