Rama sulmon opozitën: Pas 14 majit i keni duke bërtitur ‘na grabitën zgjedhjet’

Kryetari i Partisë Socialiste, Edi Rama ka mbajtur sot takimin për mbylljen e fushatës në Lushnjë, ku ka kërkuar që qytetarët të votojnë Eriselda Sefën për një mandat tjetër në krye të kësaj bashkie. Teksa përsëriti sulmet ndaj Metës, Rama tha se në 14 maj qytetarët do të votojnë mes atyre që punojnë dhe atyre që kërkojnë të marrin peng bashkitë për interesa personalë.

“Këtu në Lushnjë si kudo tjetër, puna jonë flet më shumë se çfarë ka folur deri më sot. Ajo që ju prisni është jo tu themi sesa kemi bërë por të bëjmë akoma më shumë në 4 vitet e ardhshme me Eriseldën dhe gjithë popullin e Lushnjës. Dua të them edhe këtu diçka që e kam përsëritur gjatë gjithë këtyre ditëve. Në 14 maj vërtet do votohet për të zgjedhur njeriun që do jetë në krye të punëve, për tu shërbyer qytetarëve. Do votohet edhe për nderin e dinjitetin e këtij flamuri që e mbajmë në zemër. Në 14 maj, është një zgjedhje jo thjesht midis kandidatëve tanë dhe maskën e faqes së zezë të damkosur nga SHBA. Ajo që u ofrohet si alternativë është një turp i madh për Shqipërinë që sot gëzon mbështetjen më të madhe se kurrë më parë që ka pasur nga aleatët strategjikë. Jemi në një pozicion ku flamuri ynë kombëtar është më lart se kurrë më parë në arenën ndërkombëtare”-tha Rama.

Më tej kryesocialisti u shpreh i bindur se në 14 maj, fitorja do jetë e PS-së dhe shtoi se disa ditë më vonë kundërshtarët politikë do të nxjerrin alibitë e tyre për humbjen, duke nisur nga akuzat për vjedhje votash deri tek shitblerja e tyre. Ai tha se nëse opozita synon që në të ardhmen të fitojë zgjedhjet, duhet të heqë dorë nga alibitë e krijuara gjithmonë dhe të ofrojë atë që PS ofron për qytetarët.

“Mbajeni mend çfarë po u them, në 16 maj i keni duke bërtitur, na vodhën votat, na grabitën, narko shteti, kriminelët, i blenë. Sepse nuk kanë asnjë shans, strategjia e tyre është të kapen si i mbyturi që kërkon të të mbysë. Askush nga votuesit të mos bëhet fije bari ku ata të mund të kapen.

Nëse duan që një ditë të sfidojnë PS-në duke menduar gjithmonë fajin atyre që nuk e kanë, duke menduar se ne ua fitojmë zgjedhjet pa të drejtë, do vijojnë të humbasin keq dhe më keq. Iu siguroj që në 4 vitet e ardhshme do bëjmë më shumë punë se çfarë kemi bërë në gjithë këto vite të marra së bashku”- u shpreh kreu i PS.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *