Partia Socialiste përmbylli pasditen e sotme fushatën elektorale në Bashkinë e Fierit. Kryetari i Partisë Socialiste, Rama, tha gjatë fjalës së tij se Fieri më 14 maj do të votojë Armando Subashin, si kandidatin i cili di të administrojë siç duhet këtë qytet.
“Në 14 maj, pamja e këtij sheshi, do jetë e shumëfishuar në kutitë e votimit me votën për të shkuar vetëm përpara. Dua t’ju them se Shqipëria është në momentin e një kthesë të madhe të shumëpritur në ekonominë e saj”, theksoi ai.
Rama u shpreh i bindur se kjo bashki do t’i paraprijë fitores së gjatë të Partisë Socialiste nga veriu në jug. Ai tha se kandidatët e PS-së janë të vetmit të cilët mund të bëjnë ndryshimin dhe të punojnë drejt së ardhmes.
“Nuk kemi asnjë minutë për të humbur me këta honxho bonxho, ne do ecim vetëm përpara. Fieri do t’i prijë sic i ka prirë gjithmonë trenit të gjatë të fitores tonë nga veriu në jug dhe nga lindja në perëndim. Ne jemi të vetmit që dimë të bëjmë ndryshimin. Nuk jemi më të mirët, nuk kemi rënë nga qielli, por jemi të vetmit që ia dimë punës. Ne jemi të vetmit që dimë si shkohet tek e ardhmja”-tha Rama.