Ambasadori britanik në Shqipëri, Alastair King-Smith u shpreh se Mbretëria e Bashkuar do të jetë një partner i rëndësishme për vendin tonë.
Gjatë intervistës në studio, ai theksoi se Veriu i Shqipërisë është lënë pas dore dhe se ka pasur mungesë të investimeve, duke shtuar se kjo do të ndryshojë së shpejti.
“Po investojmë në të gjithë vendin për të përmirësuar ekonominë Shqipërisë. Mbretëria e Bashkuar do të jetë një partner i rëndësishëm. Veriu i Shqipërisë ka pasur një mungesë të madhe të investimeve. Ndaj edhe muajin e shkuar filluam edhe zbatimin e një programi për të ndihmuar edhe bizneset e vogla të rriten. Por nuk bëhet fjalë vetëm për ekonominë ekzistuese, por ka një potencial të madh të turizmit. Duam një zhvillim ekonomik në veri. Do të inkurajojmë bizneset shqiptare, britanike të angazhohen në këto fusha, por edhe në këto zona gjithashtu. Njerëzit duhet të vendosim të qëndrojnë këtu, me familjet e tyre, por duhet edhe të tjerë të vijnë në këto rajone. Kjo është ambicia për këto vende, për të transformuar këtë realitet përfshirë edhe emigracionin”, u shpreh Alastair King-Smith.
Pyetje: Kryeministri ka thënë se me kandidatët e bashkive që dalin fitues të PD nuk do ketë financime, si e shihni?
Alastair King-Smith: Duhet të pyesni ata për këtë, por pozicioni im është i qartë. Ka një mundësi reale pas zgjedhjeve për të zhvilluar të gjithë rajonin e veriut. Ka realisht një vullnet që të sigurohemi që e gjithë Shqipëria të marrë vëmendje maksimale. Ka pasur mungesë të zbatimit të programeve kombëtare në veri, do të diskutojmë me qeverinë patjetër që të çojmë gjërat në drejtimin e duhur.
Pyetje: Në datën 14 ku do të jeni?
Alastair King-Smith: Nuk është përcaktuar ende, por si ambasadë do të vëzhgojmë në të gjithë vendin. Do të sigurohemi që votuesit të mos influencohen dhe të mos kërcënohen. Unë nuk e kam përcaktuar ende, mund të jem në veri, por mbetet për t’u parë. U them qytetarëve shqiptarë, dilni të votoni maksimalisht për njeriut që do të punojë për ju.