Ish-kryeministri Sali Berisha ka hedhur akuza të forta ndaj qeverisë së kryeministrit Edi Rama, për të cilën tha se po vjedh shqiptarët.
Komentet Berisha i bëri nga Kurbini, gjatë një takimi me qytetarët në mbështetje të kandidatit të koalicionit “Bashkë Fitojmë” për këtë bashki, Behar Haxhiu.
Gjatë fjalës së tij Berisha tha se Rama që ndërton rrugë me 24 milionë euro për kilometër, në një kohë që sipas tij, në vendet e tjera një kilometër kushton 2 milionë euro, vjedh me dokumenta shqiptarët, pasi sipas ish-kryeministrit, ai e ka future në thes drejtësinë dhe e ka kthyer në seksion të PS-së.
“Kandidatët tanë janë takuar me ju, kanë paraqitur programe për problematikat tuaja. Me qëllim që jetën tuaj ta ndryshojnë. Pala tjetër ka paraqitur dancin e saj në buzuk. Le të kërcejë ajo në buzuk, por qytetarët kanë probleme të tjera.
Problemi është se danci i tyre nuk zgjidh hallet e qytetarëve. Me dancing e tyre ata duan të fshehin injorimin që i kanë bërë komunitetit. Duan të fshehin rrogat që paguajnë në Spanjë, drejtorët e emëruar në bashki.
Ata që ndërtojnë rrugë me 24 milionë euro kilometrin, në një kohë që rruga kushton 2 milionë euro, kanë vjedhur 22 milionë euro. Ata nuk kanë kufij. Të gjitha këto i bëjnë me dokumenta, sepse kanë future drejtësinë në thes. E kanë shndërruar në një seksion të PS-së.
Ju bëj thirrje të gjithëve që të marrin pjesë në votime, Edi Ramën e ka kapur tmerri nga vota juaj. Fitore Behar Haxhiut”, u shpreh Berisha.