Ismail Uka, kandidat i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Dibrën ka bërë një rezyme të fushatës në këtë qytet.
Në një intervistë për News 24 ai ka denoncuar se ministrja Belinda Balluku po i bën presion administratës, ndërkohë që ka shtuar se po përdoret edhe policia me qëllim intimidimin e qytetarëve.
Zoti Uka ka treguar një rast ku ndërsa përfaqësues të kandidatit të PS lëvizin me targa false, mjetet e stafit të tij ndalohen nga policia me pretendime të rreme se rezultojnë me gjoba të papaguara.
Ai tha se në lidhje me rastet do të raportohet në organet e drejtësisë.
“Fushata ime si kandidat ka qenë një fushatë e realizuar përmes takimit me qytetarët kudo, në qytet e fshatra. Kemi prezantuar platformën tonë dhe i kemi dëgjuar.
I kemi ftuar të bëhen pjesë e ndryshimit.E kundërta ka ndodhur me krahun tjetër, Rilindja ka zgjedhur patronazhimin duke angazhuar administratën vendore e qendrore.
Nuk janë në gjendje të ballafaqohen me zgjedhësit sepse nuk kanë mbajtur asnjë premtim.
Kam ftuar publikisht kandidatin e Rilindjes të përballet me mua, ndërsa kam prezantuar vizionin tonë, por ai ka refuzuar.
Zonja Balluku, që është zv kryeministre e ministre, në konflikt të hapur me fushatën që po bën në Dibër, po ushtron presion në administratë dhe po i bën takime duke i kërkuar llogari.
Ceno Klosit psh i ka kërkuar të imponojë zgjedhësit më 14 maj.
Po përdoret policia që ka nxjerrë në terren gjithë efektivët, po shoqërojnë zonjën Balluku dhe kandidatin e PS me makina.
Gjithçka do të denoncohet, lëvizin me mjete me targa false, sonte ndalon një makinë të stafit tim ku u pretendua se kishte një gjobë, pavarësisht se një gjë e tillë rezultoi e pavërtetë”, tha ai.