Ish-drejtori i USAGM abuzoi me postin, shpërdoroi 1.6 milionë dollarë

Drejtori i parë Ekzekutiv i emëruar nga presidenti në krye të Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Mediat Globale (USAGM) shkeli rregulloren e brendshme të agjencisë që garanton pavarësinë editoriale, u përfshi në shpërdorim madhor të fondeve publike dhe abuzoi me autoritetin e tij, thuhet në një raport prej 145 faqesh të publikuar të mërkurën nga Zyra e Prokurorit të Posaçëm. Zëri i Amerikës është pjesë e USAGM-it.

Zyra e Prokurorit të Posaçëm (OSC) është një agjenci e pavarur, roli i së cilës është të hetojë shkeljet brenda qeverisë federale. Kjo agjenci, sinjalizoi USAGM-in në dhjetor 2020 për një sërë akuzash për shkelje nën drejtimin e zotit Michael Pack dhe kërkoi fillimin e hetimeve. USAGM-i angazhoi për këtë hetim tre ekspertë të pavarur, me përvojë në mbrojtjet, që u garantohen sinjalizuesve të brendshëm, si dhe për gazetarët.

Raporti i ekspertëve, i cili iu paraqit Zyrës së Prokurorit të Posaçëm, gjeti të dhëna për keqmenaxhim madhor në dy raste. Raporti thotë se drejtori ekzekutiv Pack u përfshi në shpërdorim madhor kur shpenzoi 1.6 milionë dollarë fonde për një kontratë të panevojshme me një firmë ligjore private dhe, se nuk respektoi pavarësinë gazetareske dhe integritetin e rrjeteve për të cilat ishte caktuar t’i mbikëqyrte.

Zoti Pack, me bindje politike konservatore, ish-producent filmash dokumentarë, u emërua nga ish-Presidenti Donald Trump në postin e drejtuesit të agjencisë që mbikëqyr gjashtë rrjete të pavarura lajmesh dhe entitete të tjera, ndër ta edhe Zërin e Amerikës.

Shtatë muaj pas marrjes së detyrës, ai dha dorëheqjen në janar 2021, me kërkesë të Presidentit Joe Biden.

Raporti i pavarur përqëndrohet në gjashtë fusha, bazuar në ankesat e ardhura nga sinjalizuesit brenda agjencisë.

Tre hetuesit e pavarur zhvilluan 78 intervista, 64 prej të cilave me punonjës dhe ish-punonjës të agjencisë ose rrjeteve të saj. Hetuesit kërkuan të zhvillojnë intervista edhe me zotin Pack dhe 13 zyrtarë të lartë të ekipit të tij politik, si dhe me zyrtarët e emëruar nga zoti Pack si drejtues të këtyre rrjeteve. Kërkesat u refuzuan dhe nuk morën përgjigje, me përjashtim të dy rasteve.

Raporti publikon edhe korrespondencën mes Zyrës së Prokurorit të Posaçëm dhe zotit Pack, kur ai ishte ende në detyrën e drejtorit ekzekutiv, përmes së cilës OSC-ja vuri re se mundësitë e shkeljes së ligjit ishin të mëdha. Raporti thotë se zoti Pack u tha hetuesve se akuzat nuk meritonin të merreshin në konsideratë pasi sinjalizuesit “ishin nisur nga interesa personale”.

Disa nga gjetjet e raportit

Raporti arrin në përfundimin se zoti Pack abuzoi me postin në rastet e mëposhtme:

  • Ai pezulloi padrejtësisht çertifikatat e sigurisë të gjashtë drejtuesve ekzekutivë dhe të një menaxheri “pa patur një arsye legjitime”.
  • U përpoq të hiqte fondet federale që ishin caktuar për Fondin e Teknologjisë së Hapur, që financon punën kërkimore për shmangien e censurës nga qeveritë e huaja.
  • Shkeli Ligjin për Transmetimet Ndërkombëtare duke u përpjekur të ndryshonte aktet nënligjore dhe kontratat e punës të drejtuesve të rrjeteve që emërohen nga drejtori ekzekutiv.
  • Shkeli Ligjin për Privatësinë duke udhëzuar që materialet që kishin të bënin me punonjësit t’u dërgoheshin individëve jashtë agjencisë. Raporti i pavarur vë në dukje se zoti Pack veproi kështu megjithëse një firmë e jashtme ligjore i tha se ky veprim ishte në shkelje të ligjit.

Keqmenaxhimi madhor:

  • Zoti Pack transferoi redaktorin përgjegjës për standardet gazetareske të Zërit të Amerikës, që ishte përgjegjës për ruajtjen dhe zbatimin e rregullave të etikës gazetareske, në një detyrë tjetër. Raporti thotë se me këtë veprim iu ndalua redaktorit që t’i përgjigjej pyetjeve nga gazetarët e Zërit të Amerikës për punën e tyre, si dhe që të organizonte një seminar për rregullat e etikës për raportimin e zgjedhjeve, në muajt e fundit përpara fushatës për zgjedhjet presidenciale të vitit 2020.
  • Ai shpenzoi 1.6 milionë dollarë fonde për një firmë ligjore që do të hetonte personelin, kur kjo punë mund të ishte bërë nga vetë agjencia federale.
  • Ai ndërmori veprime që nuk ishin në përputhje me detyrimin e përcaktuar në statut që drejtori ekzekutiv të respektojë pavarësinë dhe integritetin gazetaresk të rrjeteve.

Raporti i pavarur: zoti Pack shkeli “ligjet, rregullat dhe rregulloret”, si më poshtë:

  • Një direktivë që kufizoi komunikimet e jashtme të agjencisë, nuk mori parasysh se USAGM-i ka detyrimin ligjor për të informuar Departamentin e Shtetit dhe entitete të tjera.
  • Shkeli Aktin mbi Privatësinë, një ditë përpara se të jepte dorëheqjen, kur një këshilltar i lartë i tij, (emri i të cilit është fshirë në raport), u dha disa personave, që nuk janë pjesë e qeverisë, një material hetimor që lidhej me gjashtë drejtues të agjencisë.
  • Zëvendësi i tij në detyrë, i cili mbulonte çështjet ligjore, zbatimin e rregulloreve dhe menazhimit të riskut, (emri i të cilit është fshirë) ka shkelur rregullat mbi ruajtjen e të dhënave, duke mos ruajtur komunikimet zyrtare, apo duke komunikuar nëpërmjet aplikacioneve me mesazhe të koduara, të cilat zhduken.

Shkelja e Aktit të Privatësisë mund të përbëjë një kundërvajtje që parashikon një dënim me gjobë deri në 5,000 dollarë.

Zyrtarët që kryen hetimet përcaktuan gjithashtu se disa nga ankesat e bëra nga sinjalizuesit, nuk mund të konsideroheshin si raste keqmenazhimi apo abuzimi nga zoti Pack.

Mes tyre përfshihen vendimet për largimin e drejtuesve të rrjeteve të transmetimeve, ndryshimin e anëtarëve të bordit, ngrirja e kontratave të punës, apo edhe e punësimeve e reja, përdorimi për qëllime të tjera i fondeve të Kongresit, si dhe refuzimi për të miratuar, apo përtërirë vizat J-1, për gazetarët e huaj që punojnë për agjencinë.

Në rastin e vizave, raporti i pavarur vë në dukje se zoti Pack dështoi të merrte në konsideratë ndikimin që do të kishin veprimet e tij në aftësinë e Zërit të Amerikës për të raportuar lajmet në disa gjuhë. Ai nuk ofroi asnjë alternativë të mundshme për punësimin e gazetarëve të huaj. Ndërsa ishte ende në detyrë, zoti Pack kishte premtuar të shpjegonte se mbi çfarë baze e mori vendimin, gjë që megjithatë nuk e bëri asnjëherë. Zoti Pack nuk iu përgjigj kërkesave të Zërit të Amerikës të mërkurën për të komentuar lidhur me këtë artikull.

David Seide, këshilltar i lartë në organizatën mbi Llogaridhënien e Qeverisë, një organizatë jofitimprurëse që mbron sinjalizuesit, e cila përfaqësonte rreth 30 të tillë, kur zoti Pack mbante detyrën e shefit ekzekutiv të USAGM-it, vë në dukje natyrën e paanshme, dypartiake të zyrës së Prokurorit të Posaçëm dhe e cilëson raportin si “befasues për nga shtrirja e tij”.

Zoti Seide tha se raporte të kësaj natyre, janë kaq të thellë dhe hyjnë në kaq shumë detaje “kur Zyra e Prokurorit të Posaçëm e di se integriteti i organizatës që po hetohet është në rrezik dhe kur duhet t’i dëshmohet botës se po bëhen përpjekje për ta trajtuar çështjen me paanashmëri e duke bërë një analizë objektive”.

Ndërsa e quajti raportin shterues, zoti Seide tha se sipas tij duhet bërë akoma më shumë, duke përfshirë referimin e disa çështjeve tek Departamenti i Drejtësisë për hetime të mëtejshme.

Në një deklaratë të mërkurën, shefja ekzekutive aktuale e Agjencisë së Shteteve të Bashkuara për Median Globale (USAGM), Amanda Bennett, përshëndeti procesin e hetimit dhe rezultatet e tij.

“Kur u bëra drejtoreshë ekzekutive në tetor të vitit 2022, u zotova të përqendrohem në misionin e USAGM-së, si një nga operacionet më të mëdha globale të medias në botë, me një mur të fortë editorial ndarës dhe standardet më të larta gazetareske”, tha zonja Bennett, një gazetare veterane, që ka drejtuar më parë Zërin e Amerikës.

“Agjencia ka ndërmarrë një sërë veprimesh korrigjuese dhe reformash, për të trajtuar shumë nga çështjet e identifikuara nga ekipi i pavarur i hetimit. Ne do ta vazhdojmë këtë punë”, tha ajo.

Në një letër drejtuar Presidentit Biden, që shoqëron publikimin e raportit, drejtori i Zyrës së Prokurorit të Posacëm Henry J. Kerner thotë se “raporti vërtetoi kryesisht veprimet thellësisht shqetësuese, të zbuluara nga sinjalizuesit. Megjithatë, jam i inkurajuar nga hapat që ka ndërmarrë agjencia për të kryer detyrat e saj dhe për të vendosur në vend reputacionin”.

Çështje besimi

Raporti përshkruan në mënyrë të detajuar se si zoti Pack dhe ekipi i tij besonin se punonjësit në rrjetet e lajmeve të financuara nga Kongresi, ishin të njëanshëm dhe të pabesueshëm.

Ekipi që ndihmonte zotin Pack hartoi një listë ku përfshiheshin disa zyrtarë të lartë të agjencisë federale, që duheshin shkarkuar, duke i cilësuar ata si përfaqësues të të ashtuquajturit “shtet i fshehtë”, të cilët “nuk ishin të besueshëm”.

Zoti Pack mori veprime konkrete ndaj disa prej këtyre individëve “pa bazë ligjore” pasi ata kishin sinjalizuar shkelje të mundshme, sipas raportit.

Më 5 qershor të vitit 2020, zoti Pack u takua me një zyrtar, emri i të cilit nuk identifikohet në raport, i cili kishte përpiluar një listë të personave që duheshin larguar”.

Në këtë dokument dhe në disa email-e që pasuan, zyrtari kishte përfshirë lidhje të dyshuara politike të këtyre personave duke i shoqëruar me komente të tilla si “eleminoni të gjithë ekipin anti-Trump”, “urren republikanët dhe Trump-in” apo: “nuk është në ekipin Trump”.

Disa nga shqetësimet më të mëdha gjatë kohës kur zoti Pack udhëhiqte USAGM-në lidhen me përpjekjet për të shfuqizuar rregulloren e brendshme që garanton pavarësinë editoriale të Zërit të Amerikës, duke e mbrojtur nga ndërhyrjet politike.

Në nëntor të 2020-s një gjykatës federal lëshoi një urdhër paraprak që ndalonte zyrtarët të ndërhynin në pavarësinë editoriale dhe të drejtat që gëzojnë gazetarët e Zërit të Amerikës bazuar në Amendamentit të Parë të Kushtetutës.

Duke i bërë një vlerësim dështimit të zotit Pack për të respektuar pavarësinë editoriale, në raportin e pavarur, citohen veprimet e tij kontradiktore. Zoti Pack udhëzoi një të emëruar politik, që të hetonte një video të Shërbimit Urdu, të Zërit të Amerikës, e cila shihej si me qasje partiake, por nuk ndërmori asnjë veprim, kur u njoftua se Zyra e Transmetimeve për Kubën, i dha një zyrtari të Shtëpisë së Bardhë, një material (filmik), lidhur me një grup, që mbështeste presidentin e atëhershëm (zotin Trump). Zyrtari ia dërgoi materialin me email një audience të brendshme amerikane, dy muaj para zgjedhjeve të 2020-s. Sipas rregullave të agjencisë gazetarët e USAGM-së kanë detyrimin të marrin të gjitha masat që përmbajtja e materialeve të tyre të mos shpërndahen për audiecat e brendshme.

Zoti Pack gjithashtu dështoi të ndërmerrte veprime ose të ndërhynte kur kreu i sapoemëruar prej tij, i Zërit të Amerikës, Robert Reilly, u hakmor kundër korrespondentes së Shtëpisë së Bardhë, Patsy Widakuswara, pasi ajo i bëri “një pyetje logjike Sekretarit të Shtetit”. Zoti Reilly e kishte ftuar sekretarin e atëhershëm Mike Pompeo, të merrte pjesë në një seancë pyetje-përgjigjesh në Zërin e Amerikës, por ai nuk i bëri zotit Pompeo, asnjë nga pyetjet që kishin paraqitur gazetarët e agjencisë. Më pas, zonja Widakuswara i bëri një pyetje zotit Pompeo, teksa ky i fundit po largohej nga ndërtesa e Zërit të Amerikës. /VOA

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *