Rënia e inflacionit pas muajit mars duket të ketë më shumë natyrë statistikore dhe nuk është rezultat i uljes së presioneve për rritjen e çmimeve në ekonomi. Në raportin e Politikës Monetare të publikuar sot nga Banka e Shqipërisë, nënvizohet se këto presione ngelen të larta, të ilustruara sidomos nga një rritje e treguesit të inflacionit bazë neto.
Inflacioni bazë neto në tremujorin e parë vlerën 4%, duke u rritur më tej nga niveli prej 3.8% i një tremujori më parë.
Ndërsa inflacioni bazë për të njëjtën periudhë shënoi nivelin më të lartë historik prej 8%. Inflacioni bazë dhe inflacioni bazë neto kanë qëllim të përjashtojnë nga inflacioni total produktet që për nga natyra kanë një luhatshmëri të lartë, kryesisht ato energjetike dhe ushqimore.
Konkretisht, inflacioni bazë matet mbi 69.2% të shportës së IÇK-së, ndërsa inflacioni bazë neto, që përjashton nën-grupet e ushqimeve të përpunuara (përfshirë bukën dhe drithërat), matet mbi 44.6% të saj.
Kjo nënkupton se inflacioni bazë neto tregon komponentin më të qëndrueshëm të inflacionit. Ecuria e inflacionit të këtij grupi ilustron praninë e presioneve inflacioniste të brendshme në vlera ende të larta mbi objektiv dhe me sjellje të lehtë forcuese.
Sipas Bankës së Shqipërisë, ky zhvillim tregon që ngadalësimi i inflacionit bazë, kryesisht në muajin mars, ka më shumë natyrë statistikore se sa të shkaktuar nga dobësimi i presioneve të brendshme, të cilat demonstrojnë një qëndrueshmëri të lartë.
Inflacioni ka pësuar një rënie të ndjeshme në muajt e fundit, por, siç vëren edhe Banka e Shqipërisë, kjo rënie i detyrohet kryesisht uljes së çmimeve të naftës dhe efektit statistikor të bazë krahasuese (rritja e fortë e inflacionit nisi në mars 2022).
Në muajin prill, inflacioni vjetor zbriti në nivelin 4.6%, por, për shkak të faktorëve të mësipërm, gjasat janë që inflacioni të shfaqet rezistent dhe ndoshta të mund të regjistrojë përsëri rritje në muajt e ardhshëm.
Banka e Shqipërisë konstaton se presionet e brendshme inflacioniste vazhdojnë të ushqehen nga një kërkesë e qëndrueshme dhe treg pune i fortë. Rritja ekonomike rezultoi 4.8% për vitin 2022, e mbështetur nga rritja e shpenzimeve të familjeve, aktiviteti i ndërtimit dhe dinamizmi i sektorit të turizmit.
Në analizën e Bankës së Shqipërisë, kjo ecuri u mbështet nga bilancet e shëndosha të sektorit privat, nga ecuria pozitive e tregut të punës dhe nga përmirësimi i besimit të familjeve dhe bizneseve. Të dhënat indirekte sugjerojnë rritjen e kërkesës dhe të prodhimit edhe në fillim të vitit 2023.
Kushtet në tregun e punës janë të shtrënguara dhe bizneset vijojnë të hasin vështirësi për gjetjen e fuqisë punëtore. Vrojtimet e bizneseve sugjerojnë një kërkesë të fortë për punëtorë dhe presione për rritjen e pagave në vijim.
Ky zhvillim është pasqyruar në rënien në nivele minimale historike të normës së papunësisë, 10.8% në fund të vitit 2022, si dhe në rritjen e shpejtë të pagave në sektorin privat. Sipas Bankës së Shqipërisë, qëndrueshmëria e aktivitetit ekonomik2 dhe kushtet e shtrënguara në tregun e punës krijojnë premisa për qëndrueshmërinë e rritjes ekonomike në vijim, por edhe të presioneve të brendshme inflacioniste.Monitor.al