Turizmi në Shqipëri/ Çarteri i ‘Ural Airlines’ mbërrin në Rinas, sjell 200 pushuesit e parë nga Moska

Shqipëria ka pretenduar të bëhet këtë vit një “superfuqi turistike” në rajon, por turistët e parë që kanë ardhur nga vendet e ndryshme, janë ende në numër të vogël.

Dje në mbrëmje një çarter i parë turistik, me 200 rusë mbërriti në “Tirana International Airport”, me përshëndetjen dhe mirëseardhjen e një ceremonie simbolike.

Fluturimet po kryhen nga kompania ajrore ruse “Ural Airlines”, njoftoi “Tirana International Airport”.

“Aeroporti po gjallërohet dhe ky është një fakt i rëndësishëm për të gjithë ne. Turizmi, është një nga shtyllat më të rëndësishme të zhvillimit të Shqipërisë dhe TIA po jep kontributin e saj, bashkë me partnerët e operatorët turistikë për të rritur numrin e të huajve që vizitojnë këtë vend të mrekullueshëm. Shumë shpejt, vendoset dhe linja turistike charter me San Petersburg”,- tha Drejtori i Përgjithshëm Ekzekutiv i “Tirana International Airport”, Dr. Constantin von Alvensleben.

Por duket se për këtë prurje të re në Shqipëri, ka pasur një bashkëpunim mes ambasadave respektive të të dyja vendeve, edhe pse në dukje vitet e fundit është dukur sikur “akulli” mes Tiranës dhe Moskës u shtua pas përzënies së diplomatëve respektivë.

Megjithatë turizmit rus nuk i reziston dot asnjë shtet i botës, ndaj dhe pushuesit rus janë gjithmonë më të preferuarit e çdo agjencie turistike apo dhe resorti.

“Do të doja t’u shpreh mirënjohje dhe falënderim të gjithë atyre që morën pjesë në rivendosjen e lidhjeve turistike ndërmjet Rusisë dhe Shqipërisë: Ministrisë së Turizmit dhe Mjedisit të Shqipërisë, ‘Rosturizmit’ (Russian Tourism Authority), autoriteteve të aviacionit civil të të dy vendeve, operatorëve turistikë dhe diplomatëve të dy Ambasadave në Tiranë dhe Moskë, që u morën me realizimin e këtij projekti.

Shpresoj se turizmi do të japë një impuls pozitiv për zhvillimin e bashkëpunimit ruso-shqiptar edhe në fusga të tjera”,- tha Sergei Lysikov, Këshillues Ministror i Ambasadës Ruse në Tiranë.

/Priza.al/

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *