Autoritetet policore maqedonase njoftuan se kanë arrestuar tre shtetas të dyshuar për veprimtari terroriste; dy prej tyre janë arrestuar brenda vendit, ndërsa i treti është arrestuar në Francë.
Ministria e Punëve të Brendshme në Shkup nuk ka dhënë infomacion për identitetin e plotë as përkatësinë etnike të të ndaluarve, përveç inicialeve të tyre: O.S.,28 vjeç, R.S.(33) dhe M.G.(26).
“Aktivitetet kanë rezultuar me një aksion policor të sinkronizuar njëkohësisht në territorin e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Francës, me ç’rast dy persona në vendin tonë dhe një person në Francë janë privuar nga liria; që të tre janë shtetas të Maqedonisë së Veriut”, thuhet në një komunikatë të publikuar nga autoritetet.
Sipas autoriteteve aksioni është bërë në kuadër të luftës globale kundër terrorizmit, ndërsa të arrestuarit, “gjatë vitit 2014 iu ishin bashkuar formacioneve të organizatës terroriste ISIS në Siri dhe si luftëtarë kishin marrë pjesë aktive në luftime”.
Arrestimet në Shkup janë bërë në orët e paraditës së të premtes. Tek dy personat, sipas policisë, janë gjetur dhe konfiskuar një sasi armësh dhe municionesh, si dhe pajisje të tjera elektronike që mund të përbëjnë prova shtesë për veprën penale.
Departamenti për Luftën kundër Terrorizmit, Ekstremizmit të Dhunshëm dhe Radikalizmit pranë Prokurorisë Themelore Publike ka ngritur akzua kundër këtyre personave për veprën penale “shërbim në një ushtri armike” sipas Nenit 322 të Kodit Penal.
Qeveria në Shkup miratoi para disa vjetësh strategjinë kombëtare për luftë kundër terrorizmit dhe planin për riintegrimin, risocializimin dhe rehabilitimin e personave dhe familjeve të tyre të kthyer nga luftërat e huaja.
Vlerësohet se nga Maqedonia e Veriut për në konfliktet e Lindjes së Mesme kanë shkuar mbi 200 veta. Sipas të dhënave të autoriteteve të sigurisë, janë kthyer rreth 80 persona.
Një numër i tyre u gjykua, teksa dënimet për këto vepra sipas ligjeve të vendit sillen nga 6 deri në 9 vjet burg.
Disa kanë mbetur të vrarë në betejat e atjeshme apo në rrethana të panjohura, ndërsa një pjesë kishin arritur të kthehen të dëshpëruar dhe penduar për veprimin dhe për atë që kishin parë në këto shtete. Megjithatë, nuk ka të dhëna zyrtare për numrin e luftëtarëve apo shtetasve të Maqedonisë së Veriut të vrarë në luftrat në Siri dhe Irak./VOA