Një shtetas 36-vjeçar është arrestuar nga policia e Shkodrës pasi po ndihmonte për të kaluar kufirin 10 emigrantë të paligjshëm.
Jonid Kushi është kapur në aksin rrugor “Bajzë-Hani i Hotit”, pranë rrethrrotullimit të Hotit, teksa transportonte me një automjet tip “Mercedes Benz”, 10 emigrantë nga Bangladeshi, me qëllim kalimin ilegal të kufirit, fillimisht në Mal të Zi, por me destinacion vendet e BE-së.
Në cilësinë e provës materiale policia sekuestroi automjetin, celularin e 36-vjeçarit dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga transportimi.
Njoftimi i policisë:
Finalizohet operacioni policor i koduar “Rrethrrotullimi”, për goditjen e një rasti të transportimit të emigrantëve, me qëllim kalimin e paligjshëm të kufirit.
Transportonte 10 emigrantë nga Bangladeshi, për t’i kaluar ilegalisht në Mal të Zi, arrestohet në flagrancë 36-vjeçari.
Sekuestrohen automjeti me të cilin transportoheshin emigrantët, një shumë parash e dyshuar e përfituar nga kjo veprimtari kriminale, si dhe 1 celular.
Shërbimet e Drejtorisë Vendore për Kufirin dhe Migracionin Shkodër, në vijim të punës së mbështetur nga inteligjenca informative, për goditjen e rasteve të transportimit të shtetasve të huaj, kundrejt pagesave, për kalim ilegal drejt vendeve të BE-së, kanë organizuar dhe finalizuar operacionin policor të koduar “Rrethrrotullimi”, si rezultat i të cilit, në bashkëpunim me specialistët e Seksionit për Hetimin e Trafiqeve të DVP Shkodër, u arrestua në flagrancë shtetasi J. K., 36 vjeç, banues në Durrës.
36-vjeçari u kap në aksin rrugor “Bajzë-Hani i Hotit”, pranë rrethrrotullimit të Hotit, teksa transportonte me një automjet tip “Mercedes Benz”, 10 emigrantë nga Bangladeshi, me qëllim kalimin ilegal të kufirit, fillimisht në Mal të Zi, por me destinacion vendet e BE-së.
Në cilësinë e provës materiale, u sekuestrua automjeti, celulari i 36-vjeçarit dhe një shumë parash e dyshuar e përfituar nga transportimi.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër, për veprime të mëtejshme.