Dy ditë më parë në Sarandë, në një nga lokalet më të frekuentuara, ‘Orange ’, ndodhi një përplasje me armë zjarri ku u qëllua me breshëri plumbash pronari 35-vjeçar Spiro Iljadhi. Ai u plagos me 20 plumba dhe ndodhet në spital me plagë të rënda, ndërsa mbeti i plagosur edhe Marin Jano, me pasaportë amerikane dhe kalimtar i rastit.
Në videon e siguruar nga ‘Priza.al’, dëgjohen të shtënat me breshëri armësh në sfond, ndërsa shihen njerëzit e frikësuar të cilët bërtasin kërkojnë të largohen, duke krijuar kështu një rrëmujë të madhe.
Ngjarja ndodhi në orët e para të mëngjesit të së dielës 20 qershor dhe policia bën me dije se plagosja ka ardhur si pasojë e një konflitkit të çastit me Andrea Çaushi, Visi Çaushi (vëllezër) dhe shoku i tyre Redjan Hadëri. Nuk dihet nëse kjo ngjarje mund të ketë ardhur si pasojë e konkurencës. Iljadhi ka marrë 20 plumba të cilat e kanë prekur në bark, duke i sjellë dëmtime të rënda. Ai ndodhet në gjendje të rëndë te Trauma, ndërsa i është nënshtruar edhe një operacioni.
Por edhe pse u qëllua me breshëri automatiku dhe mbeti i plagosur, biznesmeni nga Saranda është arrestuar nga Policia, ndërsa ndodhet i shtruar në Spitalin e Traumës në Tiranë. Policia lokale sqaroi se Iljadhi, i cili njihej edhe me emrin Ermal Iljazi, u ndalua për shkak se ka qëlluar me armë zjarri të llojit pistoletë në drejtim të tre autorëve të dyshuar. Mbi të rëndojnë dy akuza penale, ajo e “Vrasjes në rrethana të tjera cilësuese”, kundër dy ose më shumë personave, mbetur në tentativë dhe “Armëmbajtjes pa leje”.
Gjithashtu një ditë pasi ka ndodhur ngjarja Redjan Hadëri, 33 vjeç, banues në Tepelenë është vënë në pranga pasi akuzohet për plagosjen pronarit të “Orange Club” dhe të një turisti. Vetë Hadëri ka pranuar krimin para policisë dhe është shprehur se gjithçka ka ndodhur pas një konflikti të çastit. Hadëri rezulton të jetë një person me precedentë penalë pasi është arrestuar edhe më herët për “plagosje të lehtë me dashje”. Vijojnë të mbeten në kërkim dy vëllezërit Andrea dhe Visi Çaushi.
Ndërkaq, pasi u qëllua me breshëri automatiku mëngjesin e së dielës, lokali i biznesmenit nga Saranda Spiro Iljadhi është tentuar të digjet. Në pranga për ngjarjen ka përfunduar shtetasi Luan Obzova, 32 vjeç, person me precedentë penalë në fushën e narkotikëve. Dyshohet se Obzova mund të jetë paguar për të kryer zjarrvënien. Ende nuk dihet nëse 32-vjeçari ka lidhje me tre autorët e dyshuar të ngjarjes, dy prej të cilëve janë ende në kërkim nga Policia.