Ambasadorja e Bashkimit Europian, Christiane Hohmann ka qenë në një qendër votimi në qytetin e Elbasanit për të monitoruar procesin e votimit për të cilin tha se deri më tani, çdo gjë po shkonte ashtu siç duhet.
Hohmann tha se duhet që të presim deri të nesërmen kur përfaqësuesit e OSBE-së të paraqesin raportin paraprak për procesin e votimit.
“Siç e keni para gjërat deri tani kanë ecur pa probleme. Duket se qytetarët po ushtrojnë të drejtën e tyre. Dëshira ime sot është që sa më shumë qytetarë të cilët kanë të drejtën e votës, të dalin të votojnë dhe që dita të vijojë kështu në mënyrë të paqme. Ajo që qytetarët mund të vendosin sot është se kush do t’i përfaqësojë në këshill bashkiak, kush do të jetë kryebashkiaku i tyre për 4 vitet e ardhshme. Kështu që shfrytëzojeni të drejtën që keni për të zgjedhur. Synimi duhet të jetë të zgjidhet politika më e mirë për Elbasanin. Jam e lumtur që OSBE ka vendosur të kishte edhe këtë herë në Shqipëri një ekip të plotë vëzhguesve për zgjedhjet. Le të presim deri nesër kur do të kemi edhe konferencën vëzhguesve ku do paraqiten raportet paraprake”- u shpreh Hohmann.