60,7 milionë qytetarë turq janë ftuar t’u drejtohen qendrave të votimit sot në Turqi, për të hedhur votën e tyre në zgjedhjet presidenciale dhe parlamentare të vendit.
Gjithsej 191.884 kuti votimi janë vendosur për votuesit në mbarë vendit, të cilët do të shfrytëzojnë të drejtën e tyre të votës nga ora 08:00 deri në ora 17:00 sipas kohës lokale.
Çdo votues do të hedh dy vota, një për presidentin dhe një për parlamentarët, të cilët do të shërbejnë për një mandat 5-vjeçar.
Votuesit do të zgjedhin midis presidentit Recep Tayyip Erdoğan, i cili kërkon rizgjedhjen, kandidatit të opozitës më të madhe, Kemal Kılıçdaroğlu, dhe kandidatit Sinan Oğan. Muharrem İnce, një kandidat tjetër presidencial, u tërhoq nga gara të enjten, por sipas autoritetit zgjedhor të vendit, pavarësisht tërheqjes së tij në “minutën e fundit”, votat e hedhura për të do të pranohen si të vlefshme në përputhje me nenin 12 të ligjit nr. 6271.
Mbi 30 parti politike dhe mbi 150 kandidatë të pavarur për deputetë do të garojnë në zgjedhje. Në garë janë pesë blloqe shumëpartiake: Aleanca Popullore, Aleanca Kombëtare, Aleanca ATA, Aleanca e Punës dhe Lirisë dhe Aleanca e Unionit të Forcave Socialiste.
Erdogan u kërkoi të gjithë qytetarëve të hedhin votën e tyre pasi vullneti i tyre është shumë i rëndësishëm për sa i përket demonstrimit të forcës së demokracisë turke: “Procesi i votimit vijon në të gjithë vendin pa asnjë problem. Me shumë entuziazëm po votojnë edhe qytetarët tanë në rajonin e tërmeteve. Ne nuk hasëm asnjë problem edhe në atë rajon.”