Shefja e komunikimit të fushatës së Partisë Demokratike Mirela Karabina u ka bërë apel qytetarëve të votojnë për të ardhmen e tyre. Karabina thotë se PD ka denoncuar çdo rast ku Partia Socialiste ka manipuluar procesin.
Deklarata e plotë:
“Partia Demokratike po ndjek nga afër të gjithë problematikat që po shfaqen me procesin zgjedhor duke inkurajuar qytetarët që të dalin e të votojnë masivisht në këto orë të mbetura në mënyrë që të vendosin me botën e tyre për të ardhmen.
PD dënon me forcë çdo përpjekje për të manipuluar apo dëmtuar procesin e votimit.
Gjatë ditës në disa zona të vendit kemi denoncuar rastet kur Partia Socialiste ka kryer veprime që synojnë manipulimin e procesit të votimit si në rastin e Dimalit, ku denoncuam kryetaren e bashkisë që po firmos si mjeke ligjore vërtetime për personat me aftësi të kufizuar me qëllim votimin familjar, për të manipuluar votën e qytetarëve.
Po ashtu në bashkinë Finiq në derën e një prej qendrave të votimit po diktohet vota duke intimiduar qytetarët me flet votimit të plotësuara për PS në derën e QV.
Gjithashtu janë vërejtur shumë raste të pranisë se personave të pa aurtorizuar në qendrat e votimit ku është ushtruar presion dhe intimidim ndaj votuesve, dhe mbi të gjitha problematika e pajisjeve të identifikimit elektronik që ka cënuar rëndë procesin e votimit.
Por pavarësisht të gjithë këtyre problematikave ne apelojmë qytetarët shqiptarë me të drejtë vote që të dalin sa më shumë e të votojnë për veten e tyre, të ardhmen e tyre.
Përtej klimës së tensionit dhe të parregullsive sipas traditës së politikës së vjetër, këto zgjedhje janë për shqiptarët, të cilët sot me pjesëmarrjen e tyre kanë mundësinë ti japin një leksion të shkuarës dhe të hedhim themelet e të ardhmes
Vetëm duke votuar, marrim të ardhmen tonë në dorë.”