Në një postim në Facebook, Meta u shpreh se misioni vazhdon me më shumë përkushtim se më parë për numërimin edhe të votës më të fundit.
“Sot monizmi ka marrë një goditje shumë të fortë falë qytetarëve që e duan lirinë”, shkroi Meta.
Postimi i plotë:
Shpreh mirënjohjen time të thellë për të gjithë qytetarët që morën pjesë në zgjedhje duke përbuzur presionet e të gjitha llojeve të bëra nga pushteti.
Shpreh respektin më të madh për qytetarët votues, që sfiduan deformimet shumë të rënda dhe të qëllimshme të standardeve të zgjedhjeve nga qeveria dhe KQZ.
Shpreh mbështetjen dhe vlerësimin më të lartë për të gjithë anëtarët e komisioneve dhe vëzhguesit e opozitës, që megjithëse në kushtet më të vështira, kryen detyrën me përkushtim dhe vendosmëri në shërbim të votës së çdo qytetari.
Në këtë moment që procesi i votimit ka përfunduar, misioni ynë vazhdon me më shumë përkushtim se më parë për numërimin edhe të votës më të fundit.
Sot monizmi ka marrë një goditje shumë të fortë falë qytetarëve që e duan lirinë.
Të vazhdojmë pa u ndalur në këtë rrugë të hapur me kaq sakrifica për ta çuar deri në fund misionin tonë për votën e lirë dhe mbrojtjen e pluralizimit politik dhe demokracisë.