Arjan Hoxha është shprehur që nuk do ta njohë rezultatin e zgjedhjeve të 14 Majit. Kandidati i koalicionit “Bashkë Fitojmë” për Bashkinë e Kamzës, e cilëson procesin e votimit të zhvilluar ditën e sotme, si të paraprogramuar.
Sipas Hoxhës, ky rezultat është prej vjedhjeve të votës dhe se kërkon krahasim me fletët fizike të votimit.
Përpos kësaj, Hoxha shton se në qendrat e votimit kanë qenë individë të paautorizuar, sakaq apelon për një hetim të pajisjeve elektronike, duke i cilësuar si një dështim total.
Arjan Hoxha: Individë të paautorizuar kanë qenë në çdo qendër votimi, pajisjet elektronike u vërtetuan se ishin një dështim total.
Kërkojmë të sekuestrohen pajisjet, serverat dhe një hetim të thelluar për pajisjet elektronike që kanë ardhur me zero garanci.
Kërkohet krahasimi me fletët fizike të votimit. Ne do të mbrojmë votën.
Një provë e kristaltë është edhe vetë rezultati në Kamëz. Rakip Suli kur ka kandiduar vetëm ka marrë 10 mijë, sot me kundërshtar përballë ka marrë 24 mijë vota. Ky rezultat është i paraprogramuar paraprakisht.
Kur vota blihet, vidhet dhe manipulohet çudirat ndodhin. Këtë rezultat ne patjetër që nuk do ta njohim, sepse është një rezultat i vjedhjeve dhe jo i zgjedhjeve. Ne kurrë nuk do ta njohim këtë rezultat dhe qytetarët e Kamzës këtë vjedhje nuk do t’ja falin kurrë.