Përfaqësuesit e Koalicionit për Reforma, Integrim dhe Institucione të Konsoliduara kanë komentuar fushatën zgjedhore dhe precin e mbajtur ditën e djeshme.
Në një deklaratë për mediat, Dritan Taula tha se edhe në këto zgjedhje politika shqiptare nuk ndoqi udhëzimet e dhëna nga OSBE/ ODIHR dhe se nuk u sigurua një proces zgjedhor në krah të qytetarëve.
Sakaq shtoi se në fushatën zgjedhore drejtuesit kryesor të partive politike janë marrë me sulme karshi njëri-tjetrit, dhe refuzuan të kishin fokus programet elektorale.
“Shteti shqiptar dhe politika nuk arritën të siguronin një proces zgjedhor të ndërtuar për qytetarët, po dështuan që këta të fundit të votonin të lirë. Vumë re se politika shqiptare dështoi për të reformuar kuadrin ligjor dhe duke mos marrë asnjë rekomandim të OSBE. Procesi reformues nuk ishte transparent dhe u zvarrit, edhe pse kodi ligjor e garanton këtë të fundit. Mbulimi mediatik dhe materialet propagandistike nuk ishte në linjën me frymën e asaj që garanton ligji. Politika shqiptare nuk adresoi asnjë nga rekomandimet. Raportimi online ishte vetëm për partitë i detyrueshme jo për kandidatët. Nuk pati asnjë hap konkret për një sqarim shterues apo fushatë ndërgjegjësues për qytetarët në lidhje me emrat e qytetarëve në listën e zgjedhjeve.
Fushata ishte e polarizuar e dominuar nga drejtuesit politikë në nivel qendror, dhe në mungesë të theksuar të figurës së kandidateve. U përdor gjuha denigruese, sulmet dhe fyerjet ishin dominuese duke e kthyer në diskurs personal mes figurave politike, kundërshtarët politikë janë konsideruar si armiq që duhen larguar nga gara politike sesa si kundërshtarë në garë elektorale. Veçojmë si problematike deklaratën e kryeministrin Rama lidhur me bashkitë nuk do marrin fonde aty ku fiton opozita”, tha ai.