Bullgaria na vë Veton/ Nuk ka marrëveshje në Luksemburg për nisjen e negociatave. Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut pa një datë  

Shqiptarët dhe maqedonasit mbajnë shpresa te BE-ja, por vendet anëtare të këtij unioni duket se nuk janë në një mendje, ose të paktën kanë “kapriço” ndaj njërit apo tjetrit vend. Kjo gjë ka bërë që shpresa për çelje negociatash të venitet sërish, në një kohë që pesimizmi i krijuar mund të prodhojë një tjetër valë ikjesh këtë verë.

Sekretarja e Shtetit për Çështjet Europiane të Portugalisë, Ana Paula Zacarias, ka konfirmuar pak më herët se nuk ka çelje negociatash për Shqipërinë e Maqedoninë e Veriut. Ministrja portugeze thotë se, u vendos që të shtyhet data për Konferencës e Parë Ndërqeveritare.

Shkak është bërë Veto-ja e Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut, nga e cila e pësoi dhe Shqipëria.

Edhe me presidencën portugeze në BE, Shqipëria nuk arriti dot të çelte negociatat dhe tashmë pritet të shihet se çfarë do të ndodhë në presidencën sllovene.

Të gjitha vendet ishin pro hapjes së negociatave për Shqipërinë, madje dhe Holanda që ishte më skeptikja dha ‘ok-in’ për mbajtjen e tryezës së parë ndërqeveritare, por tashmë edhe në muajt në vijim fati i integrimit europian të vendit tonë, do i mbetet dialogut Bullgari-Maqedoni e Veriut, vetëm në rast se Presidenca sllovene e BE vendos të ndajë rrugën e dy vendeve.

Ditën e sotme ministrat e jashtëm të BE u mblodhën në Këshillin për Çështjet e Përgjithshme në Luksemburg, por rezultati ishte mosdakordësia për të mbajtur një Konferencë të Parë Ndërqeveritare për dy vendet e Ballkanit Perëndimor.

Të mbledhur në Luksemburg, të 27 ministrat e çështjeve europiane të Bashkimit Europian nuk kanë mundur të arrijnë marrëveshje as për kuadrin negociues dhe as për mbajtjen e konferencës së parë ndërqeveritare, midis Bashkimit Europian dhe Shqipërisë dhe midis Bashkimit Europian dhe Maqedonisë së Veriut.

Për herë të parë pas 7 vjetësh (pas akordimit të statusit te vendit kandidat Shqipërisë në qershor 2014) asnjë shtet anëtar i Bashkimit Europian, nuk ka asnjë rezervë lidhur me përmbushjen e mjaftueshme të kushteve për hapjen zyrtare të negociatave të anëtarësimit të Shqipërisë në këtë organizatë.

Por shumica dërrmuese e shteteve anëtare të Bashkimit Europian nuk dëshiron të bëjë ndarje midis dy vendeve dhe të ecë përpara me Shqipërinë, ashtu si nuk u bë ndarje midis dy vendeve në 2019.

/Priza.al/

 

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *