Të paktën gjashtë persona humbën jetën pasi një zjarr përfshiu një bujtinë në kryeqytetin Uellington të Zelandës së Re gjatë natës.
Kryeministri i Zelandës së Re, Chris Hipkins, tha se ndërtesa aktualisht nuk është e sigurt që policia të hyjë brenda, dhe autoriteteve mund t’iu duhet më shumë kohë për ta konfirmuar numrin e të vdekurve.
Ai tha se deri tani dihet se gjashtë persona kanë vdekur dhe numri i viktimave ka të ngjarë të rritet.
Policia tha se nuk kishte një numërim të saktë, megjithëse besonte se numri i të vdekurve është më pak se 10.
“Është një tragjedi absolute. Është një situatë e tmerrshme”, u tha kryeministri gazetarëve. “Sigurisht, do të ketë një sërë hetimesh se çfarë ka ndodhur dhe pse ka ndodhur. Por tani për tani, fokusi duhet të jetë në trajtimin e situatës”, shtoi ai.
Nick Pyatt, shefi i zjarrfikësve në Uellington, tha se 52 persona kishin dalë nga ndërtesa, por ata ende po përpiqeshin të kontaktonin me të tjerët që mund të jenë brenda.
Ai e quajti ngjarjen “makthin e tij më të keq”.
Bujtina, e quajtur Loafers Lodge ndodhet në një zonë industriale të kryeqytetit dhe është një lloj hoteli me çmim të përballueshëm, me me dhoma, sallone, kuzhina dhe ambiente tjera të të përbashkëta për njerëzit që rrinë aty.
Pyatt tha se zjarrfikësit u thirrën në bujtinë rreth orës 12:30 të mëngjesit.
Policia bëri të ditur se shkaku i zjarrit nuk dihet menjëherë.
Banorët u thanë gazetarëve se alarmet e zjarrit bien rregullisht në ndërtesë, ndoshta nga njerëz që pinë duhan ose monitorë tepër të ndjeshëm të tymit, kështu që shumë kishin menduar fillimisht se ishte një tjetër alarm i rremë.
Autoritetet shëndetësore thanë se dy persona që kishin qenë në ndërtesë po trajtoheshin në spitale dhe të dy ishin në gjendje të qëndrueshme. Tre të tjerë ishin trajtuar dhe liruar, ndërsa një pacient kishte zgjedhur të largohej përpara se të merrte trajtimin.
Zëdhënësi i Këshillit Bashkiak të Uellingtonit, Richard MacLean, tha se zyrtarët e qytetit dhe qeverisë po ndihmonin rreth 50 njerëz që i shpëtuan zjarrit.
Ai tha se një numër i të moshuarve kishin ikur nga ndërtesa vetëm me pizhamet që kishin veshur.
“Shumë janë të tronditur dhe të hutuar për atë që ndodhi”, tha ai.
Loafers Lodge është afër Spitalit Rajonal Uellington dhe ka 92 dhoma.
Bujtina ofronte një kombinim të qirave afatshkurtra dhe afatgjata, tha MacLean. Edhe pse tha se nuk i dinte të gjitha detajet, ai beson se bujtina ishte përdorur nga agjenci të ndryshme qeveritare për të ofruar akomodime të nevojshme.
Kryeministri i australian Anthony Albanese u tha gazetarëve se kishte folur me homologun e tij Hipkins dhe kishte ofruar ndihmë për shtetin fqinj.
“Kjo është një tragjedi e tmerrshme njerëzore,” tha Albanese. “Unë shpreha ngushëllimet e mia në emër të Australisë miqve tanë në Zelandën e Re në këtë kohë kaq të vështirë”. REL