Flukset migratore në kufij shënuan rënie në 2022

Flukset migratore në kufijtë e Shqipërisë apo brenda saj, që e përdorin si një portë drejt Bashkimit Europian shënuan rënie në vitin e shkuar.

Raporti i Avokatit të Popullit që analizon të drejtat e emigrantëve të huaj, i referohet të dhënave të Policisë së Shtetit dhe Frontex ku për vitin 2022 rezultojnë të kenë hyrë 6628 persona në tuaj në territor.

“Migrantët pasi identifikohen në kufi, në afërsi të tij apo brenda në territorin e vendit tonë, shoqërohen nga patrullat e policisë kufitare në bashkëpunim me punonjësit e FRONTEX-it, për në Qendrën e Përkohshme të pritjes së migrantëve të parregullt, e cila ndodhet në afërsi të stacionit të policisë kufitare në Kapshticë. Për periudhën Janar– Dhjetor 2022, në këtë Qendër janë shoqëruar dhe akomoduar 6628 persona, nga të cilët 3856 persona kanë hyrë për herë të parë në territorin e Shqipërisë dhe 2772 persona janë përsëritës. Krahasuar me të dhënat e tre viteve të fundit, ka patur një rënie të fluksit të migrantëve që kanë hyrë në territorin e Shqipërisë nga kjo pikë kufitare”, vlerëson raporti.

Emigrantët janë kryesisht nga Siria ndërkohë që pjesa tjetër me e vogël i takon vendeve si Afganistani, Iraku, Palestia.

“Ndërkohë, 3800 persona kanë marrë urdhër largimi dhe 32 janë referuar në azil, 2 janë shoqëruar në Kareç dhe 23 në qendrat sociale. Grupet e migrantëve që konsiderohen me risk janë gratë dhe fëmijët nën moshën 18 vjeç. Statistikat tregojnë se, gjatë kësaj periudhe kanë hyrë në mënyrë të parregullt 295 fëmijë nën moshën 18 vjeç, 41 prej te cilëve femra dhe 254 meshkuj. Po kështu janë deklaruar 122 gra mbi moshën 18 vjeç dhe 41 vajza nën moshën 18 vjeç. Referuar shtetësisë, migrantët në shumicën e tyre kanë qenë nga Siria (2281), Afganistani (264), Iraku, Palestina, Maroku, Algjeria etj”, vlerëson raporti i Avokatit të Popullit.

Raporti vlerëson se nisur nga statistikat e periudhës 6-mujore për vitin 2022, nga 2328 persona që kanë hyrë në territorin e Shqipërisë nga kufiri me Greqinë në zonën e Kapshticës, në intervistat e zhvilluara nga ekipet e policisë kufitare në bashkëpunim me FRONTEX, rezulton se, asnjë nga migrantët e parregullt nuk kishte aplikuar pranë autoritetit shtetëror në vendin tonë për Azil.

Ndërkohë përgjatë periudhës janar –dhjetor 2022 në territorin kufitar të Qarkut të Gjirokastrës sipas të dhënave zyrtare të Drejtorisë Rajonale të Kufirit dhe Emigracionit Gjirokastër janë evidentuar 2331 të huaj të parregullt.

Një pjesë e tyre kanë qenë përsëritës (993) në hyrjen nga kufiri grek në territorin shqiptar./Monitor

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *