Presidenti i Serbisë, Aleksandar Vuçiç, ka thënë të premten në një takim të Partisë së tij Progresive Serbe (SNS) në Pançevë, afër Beogradit, se ka pritje që Serbia ta dorëzojë Kosovën “në pjatë”.
“Bëni çfarë të doni, jashtë dhe brenda, këtu në shtet, nuk do të lejoj që të shkatërrohet Serbia, dhe nuk do të ketë Kosovë të pavarur”, ka thënë Vuçiç.
Marshi i partisë së tij në Pançevë, është duke u mbajtur në kohën e njëjtë me protestën “Serbia kundër dhunës”, që po mbahet në Beograd.
Arsyeja për organizim të protestës në Beograd është zhgënjimi me reagimin e autoriteteve, pas dy vrasjeve masive që kanë ndodhur në Serbi, në muajin maj, në të cilat janë vrarë 18 persona.
Vuçiq ka thënë se ai nuk do të lejojë që qeverisja të ndryshohet me forcë, nën ndikimin e tjerëve, dhe as të zbatojë politika kundër interesave të Serbisë.
Ai ka thënë se nuk do t’iu “shërbejë” kurrë të huajve.
“Ata nuk do ta udhëheqin politikën e jashtme të Serbisë. Ata nuk do të vendosin për mua se kë ta sanksionoj, njerëzit do të vendosin, ata nuk do të vendosin për mua nëse Serbia do t’i bashkohet NATO-s, njerëzit do të vendosin”, ka thënë Vuçiç.
Ai i ka ftuar qytetarët që të shkojnë në Beograd, për një marsh të planifikuar nga partia e tij ditëve në vijim.
“Të gjithë në Beograd. Do të shkohet në Beograd nga secili qytet, nëse është nevoja edhe në këmbë”, ka thënë ai.
“Jo zmbrapsje, jo dorëzim, ne do ta ruajmë shtetin tonë”, ka shtuar ai.
Kosova ka shpallur pavarësinë në vitin 2008 dhe njihet nga mbi 100 vende të botës.
Kosova dhe Serbia, i kanë nisur negociatat për normalizim të marrëdhënieve më 2011, nën ndërmjetësim të Bashkimit Evropian.
Në shkurt të këtij viti, ato kanë arritur pajtueshmëri për Marrëveshjen për normalizim të marrëdhënieve, dhe në mars për aneksin e zbatimit të saj.
Marrëveshja me 11 nene, e bërë publike më 27 Shkurt, nuk e obligon Serbinë që ta njohë Kosovën, por kërkon nga të dyja vendet që t’i pranojnë dokumentet dhe simbolet e njëra-tjetrës, përfshirë pasaportat, diplomat dhe targat. /REL