Kryeministri Rama ndodhet sot në Shkup, në Forumin Ekonomik të Maqedonisë së Veriut, një ditë pas vendimit të Bashkimit Evropian për të mos caktuar datën për Konferencën e Parë Ndërqeveritare, për shkak të vetos së vendosur nga Bullgaria.
Në fjalën e tij Rama e ka konsideruar si një dështim të BE-së, mos caktimin e një date për konferencën e parë ndërqeveritare me Shqipërinë. Ai tha se do të ishte më e ndershme nga ana e Bashkimit Europian që të thonin se nuk ishin gati për të pranuar qoftë Shqipërinë apo Maqedoninë e Veriut në familjen e tyre, se sa t’i fajësonin këto vende për mosplotësimin e kushteve apo për ‘VETO’-n e Bullgarisë
“Shqipëria dhe Maqedonia e Veriut nuk dështuan, por ajo që dështoi ishte vetë BE. Nuk është hera e parë që dështojnë në mosdhënies e mundësisë për Konferencën e Parë. Është pak a shumë si një çështje martese, ku gjithçka e ke bërë në rregull, dhe në fund nusja nuk paraqitet. Ne do vazhdojmë të ecim përpara, të bëjmë punën tonë. Ne ishim gati edhe më parë. Fakti që disa vende më parë deklaronin që Shqipëria nuk është gati, kjo nuk do të thotë që Shqipëria nuk ishte gati vërtet, por kjo lidhet me çështjet e brendshme. Pra, nuk ishim gati, kur Holanda kishte çështjen e zgjedhjeve. Unë jam i shqetësuar sa ne bëjmë progres, jo për këtë. Ne nuk po e bëjmë këtë, pasi disa burra shteti në Bruksel na thonë se duhet të ecim përpara. Nuk jam aspak pesimist, edhe pse ata mund të dështojnë disa herë. Ne jemi partner i rëndësishëm ekonomik me Maqedoninë e Veriut. Ne nuk kemi dështuar, ata kanë dështuar. Është shtëpia e tyre, ne duam të hyjmë në këtë shtëpi, ndaj dhe nuk vendosim ne. Ne jemi në Evropë, jemi të rrethuar nga kufij evropianë. E vetmja keqardhje që kam është se do ishte më mirë të na thonin se ‘ju duam brenda familjes, por janë disa rregulla, që nuk janë ende gati’, pasi krijohet një situatë pak e çuditshme, pasi qytetarët në Shqipëri i besojnë këta zyrtarë evropianë, dhe mendojnë se është politika e brendshme problem”, tha kryeministri Rama.
Nga ana tjetër Kryeministri i Maqedonisë së Veriut nuk i ka kursyer fjalët e mira për homologun e tij shqiptar, Edi Rama. “I dashur mik i imi, Edi Rama. Jam këtu me vëllanë dhe mikun tim Edi Rama. Sot Europa ka një problem. Ideja e madhe ka një problem, është vetë BE. Brukseli na porositi se BE nuk ia del që të sigurojë integrimin e merituar të Ballkanit. Ky është problemi, nuk ia dolën që ta pengojnë bllokadën e një vendi. Por ne nuk jemi të vetëm, nuk do të mbetemi të vetëm dhe as të izoluar. Koleg, shok, vëlla Edi Rama. Me shqiptarët e kemi vizionin e njëjtë dhe jo politikat e mureve dhe ndarjeve. Ne nuk ndalemi këtu. Në këtë rrugë janë edhe Serbia, Kosova dhe Mali i Zi. Ne jemi Europë! Me Ramën po paralajmërojmë se edhe më shumë do i afrojmë popujt tanë. Vlerat e BE janë në pikëpyetje,“-tha ai.
/Priza.al/