Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani në fjalimin e saj në ceremoninë hapëse të “Defender Europe 23”, ka thënë se ushtrimet e FSK-së janë historike, pasi është ushtria më e re në botë.
Osmani ka thënë se FSK merr pjesë me 1400 trupa krah ushtrive më të mëdha në botë.
“Ju jeni gardian të paqes në një botë komplekse, në këtë stërvitje ndërkombëtarë ju jeni krahas ushtrive më të mëdha të botës, ju qëndroni të bashkuar në një kauzë të vetme. Ky ushtrim ndërkombëtar është simbol i vendosmërisë, ky ushtrim është historik, e veçanërisht për ushtrinë më të re të FSK-së”, theksoi Osmani.
Presidentja ndërsa përmendi rrugëtimin e FSK-së, ka falënderuar edhe SHBA-në për mbështetjen e dhënë.
“Objektivi kryesor i ‘Defender 2023’ është ta shfaqë aftësinë ushtarake dhe luftarake të SHBA-së dhe forcave aleate kundër agresorëve të mundshëm dhe për t’i siguruar aleatët dhe partnerët evropianë që kontinenti është i sigurt nga sulmet e mundshme. Ky ushtrim është historik në shumë aspekte, veçanërisht për ushtrinë më të re në kontinentin evropian, për Forcën tonë të Sigurisë”, ka thënë ajo.
“‘Defender 2023’ përkon edhe me 24-vjetorin e çlirimit tonë që është ditë po aq e freskët sa kujtesa e ndërhyrjes ushtarake të SHBA-së me forcat e vendeve tjera aleate të NATO-s kundër gjenocidit të Millosheviqit ndaj popullit të Kosovës. Ne ishim viktima e regjimi i Millosheviqit ishte agresori e lufta jonë ishte luftë për liri, kjo është e vërteta e vetme që do ta mbrojmë çdo herë e kudo. Prandaj sot teksa i shohim shtarët e FSK-së të radhitur në këtë shesh, dua të sjellë në vëmendjen e secilit edhe sakrificën e paraardhësve të tyre, vajzave e djemve të UÇK-së që e bënë të mundshme lirinë tonë, mbrojtën dhe rikthyen dinjitetin tonë. Ata janë mishërimi i vetëmohimit, sakrificës dhe guximit”, është shprehur Osmani.