“Ne nuk paguajmë për fosilet, vendi ynë po vdes“ me këtë thirrje u shoqërua sulmi i ambientalistëve ndaj simbolit të Romës, shatërvanit të famshëm “Fontana di Trevi”.
Pamjet që tregojnë mbi 10 anëtarë të grupit ambientalist “Gjenerata e Fundit” duke hyrë në ujë dhe ngjyrosur atë me bojë të zezë, janë bërë virale në rrjet.
Përveç aktit me bojën e zezë, ambientalistët e rinj u përplasën me kalimtarët dhe turistët që dënuan veprimet e tyre, duke i fyer ata. Policia lokale ndërkohë, ndërhyri duke e ndërprerë protestën.
Sakaq, kryetari i bashkisë së Romës Roberto Gualtieri dënoi sulmin duke e konsideruar absurd.
“Mjaft me këto sulme absurde ndaj trashëgimisë sonë artistike. Sot shatërvani i Trevit është i ndotur. Restaurimi është i kushtueshëm dhe kompleks. Ftoj aktivistët të konkurrojnë në një terren konfrontues pa vendosur monumentet në rrezik”, tha Gualtieri.
Sa i përket ndonjë dëmi të mundshëm mbi monumentin simbol të kryeqytetit italian ai deklaroi: “Fatmirësisht vlerësimi i parë është që të mos ketë dëme të përhershme sepse boja e zezë është depozituar rreth e qark materialit hidroizolues, jo mbi mermer dhe duhet të bëhet e mundur heqja e tij pa dëmtime të përhershme. Rreziku është kur shkon në mermer që është poroz”.