Rrëshqitja masive e dheut në afërsi të fshatin Mushqeta të njësisë administrative Kërrabë, pranë autostradës Tiranë-Elbasan, vetëm një kilometër larg tunelit, vijon të jetë e paprekur.
Prej shumë muajsh një masiv dheu i një kodre në skarpatin e djathtë të autostradës, vijon të rrëshqasë dhe gjuha e këtij masivi ngadalë ka filluar të mbyllë njërën korsi të rrugës.
Rrëshqitja ka zhvendosur barrierat anësore të autostradës Tiranë-Elbasan duke i dëmtuar ato, në një kohë që ARRSH-ja është mjaftuar vetëm me vendosjen e disa bankinave prej betoni për të penguar që dheu të hyjë dhe të bllokojë gjithë karexhatën.
Në fillim të këtij muaji, “Priza.al” bëri një shkrim të gjatë për këtë rrugë, duke sjellë edhe foto ekskluzive nga vendi ku po zhvillohet rrëshqitja. Por edhe pse kanë kaluar disa javë dhe ky muaj për pak ditë mbyllet, përsëri asnjë lopatë dhe nuk është hequr.
Ndërkohë jo më larg se dje, emisioni investigativ “Stop” të “Tv Klan” solli pamje nga kjo rrëshqitje, të cilën autoritetet e kanë lënë të paprekur. Deri tani për fat të mirë aty nuk ka ndodhur asnjë aksident rrugor, por edhe volumi i dherave nuk është i ndonjë përmase të madhe sa që do të duheshin muaj punë për ta lëvizur dhe për të disiplinuar skarpatin.
Gjithsesi, në mungesë të interesit të autoriteteve shtetërore që përgjigjen për këtë aks ndërkombëtar, përdoruesit e kësaj rruge në afërsi të tunelit, me një distance 150 metra, duhet të jenë të kujdesshëm në kalimin e këtij segmenti, pasi rëniet e gurëve mund të ndodhin nga çasti në çast.
Rreziku i shembjes së banesave është edhe për tre familje ku ndërtesat e tyre nga kjo rrëshqitje, kanë dhënë shenjat e para në çarjeve në themeleve dhe mureve.
Shkak i rrëshqitjes mund të jenë reshjet e shumta të shiut mbi një formacion tokësor të paqëndrueshëm, të prishur në stabilitet edhe nga ndërtimi i transesë së autostradës.
Por gjithsesi, volumi i dherave nuk është i ndonjë përmase jashtëzakonisht të madhe, sa që për të do të duhej ndërtimi i ndonjë mbi ose nënkalimi, apo i ndonjë pune kolosale.
Do të mjaftonte edhe një ndërmarrje e vogël punëtorësh me një ekskavator që ta disiplinonte atë skarpat dhe të bënte sistemimin e rrugës.
Por duket se kjo nuk përbën ndonjë shqetësim të madh për ARRSH-në, në një kohë që taksat e shoferëve dhe përdoruesve të rrugëve paguhen çdo vit në zyrat e shtetit.
/Priza.al/
Ky artikull është ekskluziv i “Priza.al”, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Priza.al” dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016