Deri më 31 maj 2023 është përcaktuar të zgjatet afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik (kartë identiteti) për 454,957 shtetas.
Konkretisht bëhet fjalë për ata shtetas të cilët pavarësisht se dispononin letërnjoftim elektronik që iu kishte kaluar afati i vlefshmërisë, nuk u kufizuan nga e drejta për të votuar në zgjedhjet vendore të 14 Majit.
Akti normativ “Për një shtesë në ligjin nr.8952, datë 10.10.2002, “për letërnjoftimin elektronik të shtetasve shqiptarë”, të ndryshuar” i miratuar nga qeveria propozon që afati i vlefshmërisë së letërnjoftimit elektronik të shtetasve, votues në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, të shpallura me dekretin nr.13864, datë 24.10.2022, të Presidentit të Republikës, që përfundon deri në datën 14 maj 2023, të zgjatet deri në datën 31 maj 2023.
Akti normativ u miratua ditën e premte në Komisionin Parlamentar për Çështjet Ligjore, Administratën Publike dhe të Drejtat e Njeriut dhe ditën e enjte është njoftuar shqyrtimi në seancë plenare.
Deputetja e PD-së Dhurata Çupi, anëtare e Komisionit për Çështjet Ligjore e cilësoi miratimin e aktit normativ pas zgjedhjeve qesharak. “Ky akt normativ duhej të ishte miratuar para zgjedhjeve. Miratimi i tij nuk ka asnjë rëndësi, nuk ka asnjë fuqi. Qytetarët që kanë menduar që kanë kartat e identitetit jashtë afatit, më të shumtët nuk kanë shkuar të votojnë, pasi nuk e kanë ditur.”
Nga përfaqësuesit e Ministrisë së Brendshme u sqarua se Akti Normativ ka hyrë në fuqi menjëherë pas miratimit nga qeveria, ndërsa më pas është kryer procedura për miratimin e tij edhe nga Parlamenti.
Kryetarja e Komisionit Parlamentar Klodilda Bushka theksoi se Akti Normativ është në fuqi që më 27 prill 2023 sipas nenit 101 të Kushtetutës dhe lejimi i votuesve, pavarësisht mosfvlefshmërisë së kartave të identitetit është bërë publike nga Ministria e Brendshme.
Sipas relacionit të Aktit Normativ janë 511,251 shtetas të cilët e kanë të pamundur të votojnë në datën e zgjedhjeve për organet e qeverisjes vendore, pasi nuk kanë dokument të vlefshëm identifikimi. Prej këtyre 454,957 shtetas nuk kanë letërnjoftim ID të vlefshme atë datë. Duhet theksuar se ka bashki, ku numri i shtetasve që nuk mund të identifikohen për të votuar, tejkalon 20%.
Ndër të tjera në relacion theksohet se Akti Normativ është hartuar në përputhje me nenin 101 të Kushtetutës që parashikon të drejtën e Këshillit të Ministrave për të nxjerrë akte rregullatore me fuqinë e ligjit, para situatave të urgjencës.
“Kjo situatë do të krijonte kufizimin e së drejtës kushtetuese të shtetasve për të votuar, arsye për të cilën, në këtë kuadër, është propozuar shtyrja e afatit të vlefshmërisë së dokumentit “letërnjoftim elektronik”. Me synim evitimin e pamundësive për votim nga ana e shtetasve, konsiderohet e nevojshme ndërmarrja sa më shpejt e hapave të nevojshëm administrativë për të mundësuar që këta shtetas të ushtrojnë të drejtën e votës në zgjedhjet për organet e qeverisjes vendore, që do të zhvillohen në datën 14 maj 2023, duke sugjeruar zgjatjen e afatit të vlefshmërisë së dokumentit “letërnjoftim””, thuhet në relacion./Monitor.al