Nuk parashikohet rritje pagash për deputetët/ Opozita: Mos është tallje, një farsë e kryeministrit?

Komisioni i Ekonomisë ka nisur diskutimin për rritjen e pagave në administratë, teksa nuk është përfshirë ndryshimi i rrogave për deputetët dhe ministrat.

Diskutimi që nisi para zgjedhjeve u bllokua në këtë komision për shkak se deputetët kërkuan që të përfshiheshin edhe ata në skemën e rritjes së pagave. Nga ana tjetër ministrja e Financave, u shpreh se rritja e pagave për deputetët dhe ministrat do të bëhet në një moment të dytë.

Debati:

Ibrahimaj: Paga në administratën publike do të shkojë në 900 euro në dy hapa. Hapi i parë sapo ka filluar dhe hapi i dytë do të jetë gjatë vitit të ardhshëm. Me përcaktimin e pagës së Presidentit si paga më e lartë, janë të lidhura edhe disa funksione të krijuara në kuadër të reformës në drejtësi. Praktikisht përfitojnë. Përsa i përket koeficentëve të pagës për pozicionet që kanë të bëjnë  me institucionet e Kuvendit dhe Ekzekutivit janë përshtatur pa ndryshuar nivelin aktual të pagave për ta rikonsideruar në një moment të dytë kjo për shkak se kemi pasur për qëllim të përqendrohemi fillimisht tek finalizimi i kësaj politike të re të rritjes së pagave për një kategori më të madhe përfituesish sikundër janë të gjithë punonjësit e administratës publike qendrore dhe vendore.

Shehaj: Ju keni përjashtuar ministrat dhe deputetët nga propozimi për rritjen e pagave. Me këtë që keni bërë, nëse nuk gaboj, drejtorja e Përgjithshme, zonja Dhëmbi, do të ketë një rrogë më të lartë se tuajën.

Ibrahimaj: Në fakt po. Propozimi që kemi sjellë në Kuvend, nuk parashikon rritje të pagave për ministrat dhe deputetët. Ne donim që të gjithë kategoritë e tjera të përfitonin nga rritja e pagave dhe në përfundim të kësaj, do të sillnim një nisëm për rishikimin e koeficentëve për anëtarët e kabinetit dhe deputetët. Do ta sjellim më pas si propozim.

Shehaj: Ju po thoni që rrogat e deputetëve dhe ministrave janë më pak të rëndësishme sesa rrogat e punonjësve të tjerë të administratës. Ju duket normale që drejtorët që u shoqërojnë sot e kanë rrogën më të lartë se?

Ibrahimaj: Qëllimi ka qenë që reforma të përfundonte dhe më pas të përcaktohej paga e ministrit dhe deputetit.

Shehaj: Ju po vini këtu dhe po na ofendoni të gjithë.

Gjylameti: Po bëni të njëjtën pyetje 3 herë.

Shehaj: Mos është një tallje, një farsë e kryeministrit? Ju vetë keni nevojë për rritje rroge, apo do ta sakrifikoni atë për të mirën e popullit?

Agalliu: Kuvendi që miraton pagën e Inspektorit, ka rrogë sa gjysma e inspektorit. Kjo nuk bën sens. Nëse duam të ruajmë dinjitetin e çdo individi, të nisë rritja me Presidentin, të shkojë te Kryeministri, të shkojë më pas te ministri e deputeti.

Spaho: Paga e deputetit nuk është indeksuar prej vitesh. Unë mban mend që me këtë pagë e kam filluar që në vitin 2005. Madje deputetit i thuhet edhe që të blejë makinën me lekët e tij dhe të bëjë punën e qeverisë.

Ibrahimaj: Unë nuk kam thënë që nuk e vlerësojmë punën e deputetit apo ministrave. Thashë që pasi të zbatohet rritja për administratën, do të sjellim një propozim për rritjen e pagave për deputetët dhe ministrat.

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *