Për më shumë se tre dekada, emigracioni në Shqipëri është në një shkallë të lartë dhe bazuar në të dhënat e INSTAT, sot rreth 38% e popullsisë jeton jashtë vendit. Studiuesit konstatojnë me shqetësim se emigrimi po merr formën e asaj që quhet “rrjedhje e trurit”, dhe se rreth 50% e flukseve emigratore në dhjetë vitet e fundit kanë këtë tipar. Një prej elementëve të tij është largimi i mjekëve nga vendi. Një studim i fundit i Universitetit të Sussex-it, në Britani, sjell një panoramë shqetësuese të asaj që ndodh sot në sistemin shëndetësor shqiptar. Një prej autorëve të këtij studimi Ilir Gëdeshi, thotë për Zërin e Amerikës se ai bazohet në pyetësor dhe intervista me mjekë të larguar nga vendi në 30 vitet e fundit. Ai sjell gjetje mbi arsyet e emigrimit të mjekëve, ku vendin kryesor me mbi 50% e mbajnë ato ekonomike të ndjekura nga edukimi, dhe pasiguritë mbi të ardhmen në Shqipëri.
“Në rast se shohim grupin e parë të faktorëve, del standardi i jetesës dhe përmirësimi i kushteve të punës. Dhe nëse do të shohim arsimimin, theksi vihet tek arsimimi personal. Ndërsa faktori i tretë ka të bëjë me atë se si e shohin ata të ardhmen në Shqipëri. Rreth 10% nuk shohin perspektivë në Shqipëri dhe prandaj mendojnë se emigrimi është rrugëzgjidhja më e mirë”- u shpreh për Zërin e Amerikës Ilir Gëdeshi, Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale në Tiranë.
Sipas këtij studimi, largimi i mjekëve nga vendi, është përshkallëzuar vitet e fundit. Në atë që ai e konsideron diaspora e prej më shumë se 2500 mjekëve, bëjnë pjesë ata të larguar në vitet 90, kryesisht në SHBA, me mundësi të pakta për ta ushtruar profesionin, studentët që përfundojnë studimet për mjekësi jashtë vendit dhe nuk kthehen në Shqipëri, që përbëjnë 1/3-ën e tyre, si dhe mjekët e larguar gjatë viteve të fundit, me destinacion vendet e BE kryesisht Gjermaninë dhe Italinë.
“ Janë të paktën 2500, që mund të jenë jashtë vendit. Shifrat mund të jenë dhe më të larta. Urdhëri i mjekut gjatë 5 viteve të fundit raporton, 800 mjekë të larguar nga Shqipëria. Burimi i dytë i informacionit do të ishin të dhënat e OECD-së, që bëjnë fjalë për një mijë mjekë nga Shqipëria që ndodhen në vendet e tjera. Por këtu nuk raportohen ata mjekë që kanë marrë nënshtetësinë e vendit
pritës. Burim i tretë urdhëri i mjekut në vendet pritëse. Gjermania përshembull, deklaron se janë mbi 980 mjekë në vitin 2021, nga Shqipëria rreth 6 herë më shumë se në vitin 2012”- vijoi Ilir Gëdeshi, Qendra për Studime Ekonomike dhe Sociale në Tiranë.