Aventura e Andrea Pirlos me klubin e Karagumruk në kampionatin turk, ka përfunduar. Vetë klubi ka zyrtarizuar paraditen e sotme shkarkimin e trajnerit, duke i dhënë fund aventurës 1 vjeçare, 3 ndeshje para përfundimit të kampionatit.
Pirlo arriti të siguronte mbijetesën me skuadrën e tij, dhe pas 33 javësh kampionat, renditet në vendin e 9 me 44 pikë, 10 pikë më shumë se Giresunspor teksa mbijetesa është siguruar edhe matematikisht.
“Përderisa kemi vendosur të mos vazhdojmë më me Andrea Pirlon dhe stafin e tij për sezonin e ardhshëm, do t’i japim leje që të largohen shpejt duke shpresuar që të planifikojnë diçka për të ardhmen e tyre. Gjithashtu, do ta përdorim kohën e mbetur në mënyrën më efektive të mundshme si fillim për të fituar të gjitha ndeshjet e mbetura e më pas për të menduar për të ardhmen. Jemi shumë të lumtur për 1 vit që kishim Pirlon dhe e falënderojmë për kontributin duke i uruar më të mirat në të ardhmen e tij”, shkruan klubi turk.