Leonard Theodhori, për të cilin qarkullojnë vetëm dy foto, njëra që i përket rinisë së tij të hershme, njihej në rrethin shoqëror me pseudonimin ‘Koçole’ dhe i kishte hyrë problemeve me ligjin që në rininë e tij.
Një prej tyre ishte ngjarje e tmerrshme që u shënuan gjatë vitit të mbrapshtë 1997, ku gjatë këtij viti ai thuhet se ishte pjesëmarrës në Masakrën e Qafë Gjashtës.
Një nga ngjarjet më të rënda që u dokumentua gjatë vitit të zi, kur armët ranë në duart e bandave kriminale të cilat zotëronin territorin, midis tyre dhe në jugun e Shqipërisë, pritë ku mbeti i vrarë, oficeri Gjergj Mehmeti.
Ky i fundit më 4 mars 1997 po udhëtonte në të njëjtën makinë me shefin e komisariatit të Vlorës, Sokol Bizhga dhe oficerin tjetër të policisë, Eduard Aliaj.
Këta të fundit një ditë më parë ishin dërguar nga Ministria e Brendshme për të ringritur stacionin e policisë në Sarandë, pasi ishte marrë në dorë nga bandat
Por në pamundësi për ta bërë një gjë të tillë, ata vendosën të kthehen nga Qafë Gjashta, aty ku u ndaluan nga persona të armatosur, të cilët i zunë pritë makinës së efektivëve të policisë.
Pas një shkëmbimi zjarri mbeti i plagosur rëndë Gjergj Mehmeti, të cilin bandat ia dogjën trupin të gjallë në makinë, dhe u mor peng për dy javë oficeri tjetër, Eduard Aliaj.
Ky i fundit u keqtrajtua rëndë dhe më pas u lirua vetëm nëpërmjet negocimit. Por edhe pse ishte pjesëmarrës në atë masakër, Leonard Thodhori, në atë kohë 18 vjeç, thuhet se nuk ishte i përfshirë direkt në ngjarje.
Ai nuk u dënua kurrë për masakrën e Qafë Gjashtës, por kjo nuk e pengoi në vazhdim të kishte një “Cv” të pasur në radhët e krimit.
Në vitin 2003 ai ishte i pranishëm në makinën që drejtohej nga Andrea Gjini, para se ky i fundit të vriste biznesmenin Jaho Bajo.
Po në vitin 2003, ai u arrestua për ‘moskallëzim krimi’ për një tjetër ngjarje të kryer nga Andrea Gjini.
Më pas ai u arrestua në akuzat për ‘vjedhje’ dhe ‘mashtrim’.
Por edhe për trafik të lëndëve narkotike, ku duket se ishte i përfshirë në grupe të fuqishme krminale që qarkullonin në zonën e Sarandës.
Por krahas kësaj veprimtarie, Leonard Thodhori, thuhet se ishte edhe vetë përdorues i lëndëve narkotike. Fakt që e pranojnë edhe familjarë të tij, të cilët thonë se ai merrte medikamente për shkak të varësisë që kishte krijuar nga droga.
Të njëjtën “Cv” të lidhur me drogën duket se kishte edhe miku i tij Fatmir Sulovari, që mbante edhe mbiemrin Krasniqi.
Ai ishte dënuar më parë për ‘armëmbajtje pa leje’ dhe ‘plagosje e lehtë me dashje”.
Për herë të fundit Sulovari ishte përballur me drejtësinë në muajin prill të vitit 2022, ku gjatë një kontrolli të ushtruar në automjetin e tij në Lushnjë, policia gjeti në mjetin e tij “BMË” X5 një sasi lënde cannabis sativa të ndarë në doza, gati për shitje.
Ndërkohë që nëna e Leonard Thodhorit, thotë se ditën kur konstatoi se djali nuk gjendej, shokë të tij e kanë ndaluar në rrugë, dhe i kanë thënë se të enjten në mbrëmje më datë 6 prill, nga numri i Leonardit i ka marrë Fatmir Sulovari, i cili u ka kërkuar ‘mall’… që nënkuptonte drogë.
“Para se të vija në Polici që të njoftoja për humbjen e djalit, ditën e saktë nuk e mbaj mend, unë shkova në qytetin e Sarandës te spitali i qytetit dhe pas kësaj u nisa për në banesë. Gjatë rrugës në vendin e quajtur “Rrethi i Gajdarit” në Sarandë unë takova shtetasin Niku Beduli, që është shok me Leonardin. Pas pak minutash pranë nesh erdhi një person i panjohur nga unë dhe pas 5 minutash edhe një djalë të cilit Niku iu drejtua me emrin ‘Bumçja’. Ai i tha Nikut që thuaj nënës se ku është Leonardi dhe i tha që ditën e enjte në darkë e ka telefonuar Fatmiri nga numri i Leonardit dhe i ka thënë ‘Do na sjellësh mall këtu? ‘Se e do Ylli’. Por Bumçja i ishte përgjigjur se nuk kishte dhe ia ka mbyllur telefonin. Pas kësaj bisede Niku u largua dhe më çoi në shtëpi. Rrugës më tha që të mos mërzitesha se Leonardi do kthehej”, u shpreh Evanthi Thodhori.
Por për t’iu kthyer edhe njëherë pistave të mundshme të rrëmbimit, grupi hetues mendon që një ndër to, lidhet me dy vrasje të bujshme të ndodhura në një kohë fare të shkurtër që zanafillën e kanë në Sarandë dhe trafiku i lëndëve narkotike që vinte prej këtij qyteti.
Policia beson që në ngjarjen e rrëmbimit të ‘Koçoles’ dhe të Sulovarit, të ketë gisht Ledjan A., njohur edhe me gjeneralitetet, Eldjan A..
Personi i cili del edhe në dëshminë e nënës së Aleksandër Sadikaj, si i implikuar në ekzekutimin e tij më 11 qershor të vitit 2022 tek rrethrrotullimi i TEG-ut nga shpërthimi i një sasie të madhe eksplozivi që ishte montuar në makinën e tij.
Grupi hetues beson se Leonard Thodhori, kishte dijeni të plotë për atentatin me eksploziv ndaj Aleksandër Sadikaj si dhe njerëzit që e organizuan.
Njerëz të lidhur me trafikun e drogës që kalonte nga Kanali i Çukës në Sarandë në drejtim të Greqisë.
Ashtu si edhe Aleksandër Sadikaj, nga Memaliaj, që mbante pseudonimin ‘Sanço’, por edhe Edmond Papa, një biznesmen nga Saranda, i cili u qëllua për vdekje.
Ngjarja ndodhi vetëm 6 muaj më pas, më 16 dhjetor 2022, në lagjen Selitë në Tiranë, teksa qëndronte në këtë lokal duke konsumuar një kafe në pritje të familjarëve të tij.
Narkotrafik me destinacion Greqinë me të cilin duket se ishin të lidhur edhe i rrëmbyeri Leonard Thodhori dhe personat të cilët organizuan më pas zhdukjen e tij dhe të mikut që kishte marrë me vete.
Persona të cilët ishin të investuar direkt në vrasjen e Aleksandër Sadikaj. Ekzekutim për të cilin duket se ka pasur dijeni edhe Leonard Thodhori dhe pas konflikteve për një pronë në Sarandë, që kishte me këta persona, duket se i ka kërcënuar këta të fundit se do i kallëzonte në lidhje me dijeninë që ai kishte për ekzekutimin me eksploziv të ‘Sanços’ në Tiranë.
Kjo duket se i ka frikësuar keqasi ata që deri dje ishin bashkëpunëtorët e tij, për të menduar deri edhe rrëmbimin e tij.
Ndërkohë që duket se rrëmbimi i Fatmir Sulovarit, të ketë qenë jashtë planifikimit.
Në lidhje me ekzekutimin e Aleksandër Sadikaj, ai thuhet se tri ditë para se të eleminohej qëndroi në hotelin në pronësi të Edmond Papës, në Sarandë.
Të dy këta personazhe të lidhur me trafikun e drogës që kryhej në Greqi.
Sipas informacioneve që nëna e Sadikaj dha për grupin hetues, djali i saj nuk kishte qenë i vetëm në këtë hotel. Ai ndodhej në shoqërinë e dy personave të tjerë, që i identifikoi si Ledjani dhe Xhino.
Ledjani i cili e këshilloi Sadikajn që makinën e tij tip Golf të bardhë ta çonte në fshatin Kurjan në Fier, te magazinat e dajës së Edmond Papës, me qëllimin, sipas nënës së tij, për ta rregulluar pas një defekti teknik që kishte automjeti.
Kjo ishte edhe arsyeja përse ditën e ekzekutimit nëpërmjet shpërthimit të telekomanduar, Aleksandër Sadikaj, nuk lëvizte me makinën e tij, por me një automjet tip ‘Mercedes Benz’.
Aty ku sipas ekspertëve, në serbatorin e makinës, ishte vendosur një sasi prej 500 gramë tritol. Disa muaj pas atentatit, nëna e Sadikaj, pas hetimeve private që familja kreu, kërkoi të takojë personalisht Ledjanin.
“Pas vrasjes së djalit tim Aleksandrit, kam kërkuar që të takohem me Ledjanin, të cilit i ka çuar fjalë nëpërmjet Xhinos. Ky i fundit më ka thënë që Ledjani kishte fshirë të gjitha rrjetet sociale dhe nuk dëshironte të më takonte”, ka deklaruar nëna e Aleksandër Sadikaj.
Ledjani nuk i doli në takim nënës së Sadikaj, as kur kjo e fundit shkoi ta takojë personalisht në hotelin ‘Blu Sky’ në Sarandë, në pronësi të Edmond Papës, që tashmë edhe ky ishte ekzekutuar.
“Pasi pashë që Ledjani nuk donte të më dilte në takim, ndodhur në këto kushte kam shkuar vetë tek hotel ‘Blu Sky’ në Sarandë. Por edhe këtë herë ai nuk më ka dalë në takim. Për arsye të cilat nuk mi bëri të njohura”, shprehet ajo.
Por ndërsa grupi hetues i ngriti të gjitha dyshimet mbi një konflikt të mundshëm për drogën midis ‘Sanços’ dhe Papës, dëshmia e fundit e dhënë nga nëna e Aleksandër Sadikaj, solli për grupin hetues në vëmendje edhe një tjetër pistë.
Atë të një toke që djali i saj kishte blerë pranë TEG-ut në Tiranë, por që e pretendonte edhe Ledjani.
Bisedë që Xhino, sipas nënës së Sadikaj, e kishte bërë me djalin e saj, pak minuta para se të vritej, ku i biri i kishte treguar në telefon një tokë që familja e tij kishte në pronësi pranë qendrës së njohur tregtare në Tiranë.
Në dosje thuhet se kjo mund të ketë lënë të pakënaqur, Ledjanin dhe njerëzit e tij përreth, në këtë rast edhe Edmond Papën.
Një version i mundshëm ky, pa lënë mënjanë edhe konfliktet e tjera që palët mund të kenë pasur në afera të ndryshme.
Ndërkohë që siç del nga dëshmia e nënës, Xhino i ka pohuar se Edmond Papa dhe njerëzit që i rrinë afër janë të rrezikshëm, pasi ndër të tjera, mbajnë edhe lëndë shpërthyese.
Kjo rriti edhe më shumë dyshimet te nëna e Aleksandër Sadikaj, se vrasësi i të birit ishte Edmond Papa dhe njerëzit pranë tij.
Një histori gati e ngjashme kjo me atë të rrëmbimit të Leonard Thodhorit dhe Fatmir Sulovari, ku ashtu si në rastin e Sadikaj, sërish në skenë del një tokë, që Thodhori kishte shitur në Sarandë.
Por që në këmbim nuk kishte marrë paratë, për të cilën edhe në këtë rast pretendime del të ketë pasur edhe personi me emrin Ledjani, që dyshohet të jetë rrëmbyesi i tij dhe i Fatmir Sulovarit.
Shkak dyshohet të jetë bërë toka që Leonard Thodhori kishte në Sarandë, që ua kishte shitur këtyre personave.
Mesa duket ata pasi i kanë blerë tokën me letra, nuk i kanë dhënë në këmbim paratë, ç’ka mendohet se ‘Koçolja’ t’i ketë kërcënuar ata që do të ishin pengmarrësit e tij, se nëse nuk u paguanin lekët e tokës, do të fliste kundër tyre dhe do të rrëfente për krimet e kryera prej tyre, që me gjasë janë disa të tilla.
Por Ledjan Alushaj, nuk mendohet të jetë i vetëm që rrëmbeu ‘Koçolen’ dhe mikun e tij, pasi policia mendon se pjesë e grupit kriminal është edhe një shtetas nga veriu i vendit.
Në këtë ngjarje hetimet flasin për një të dënuar me burgim të përjetshëm që ka drejtuar nga qelia operacionin për rrëmbimin e dy personave në Sarandë.
Policia beson që Thodhori edhe Sulovari janë marrë fillimisht me mirëbesim në makinë, pasi Sulovari që ndodhet në vendin e parë, duket i qetë në pamjet filmike që ata kanë siguruar nga kamerat e sigurisë, në itinerarin që makina e rrëmbyesve ka ndjekur në qytetin e Sarandës.
Për të hedhur dritë mbi këtë ngjarje të rëndë, janë marrë në pyetje miq të biznesmenit të vrarë Edmond Papa të cilët më herët janë marrë në pyetje edhe për ekzekutimin e Aleksandër Sadikaj.
Çfarë thuhet në dosjen hetimore:
Personat e shoqëruar shumica janë me precedentë të theksuar kriminalë për ‘prodhim dhe shitje narkotikësh’, ‘kultivim bimësh narkotikësh’, ‘trafik mjetesh motorike” etj.
Në lidhje me kërkimet për gjetjen e trupave në zonën e Vrinës dhe të Konispolit në Sarandë, policia thotë se u drejtua në këto zona, pas dëshmisë së një personi. Ky i fundit nuk pranoi të japë me shumë detaje se ku ishte kryer groposja e dy personave të rrëmbyer.
Çfarë thuhet në dosjen hetimore:
Policia u orientua në drejtim të këtij fshati pas dëshmisë së një personi, që ka dhënë detaje në lidhje zhdukjen e dy personave, por ai ka refuzuar të tregojë vendin ku ata janë groposur.
Mbi bazën e dëshmive, policia ka mundur të sekuestrojë në një magazinë në fshatin Nivicë, një automjet tip “Mercedes-Benz”, me të cilin dyshohet se janë rrëmbyer Thodhori dhe Sulovari. Për të fshehur krimin, autorët e kishin lyer automjetin me ngjyrë tjetër.
Për familjarët tashmë nuk ka asgjë më shumë rëndësi se sa gjetja e trupave, dhe pasja e mundësisë për t’u bërë nderimet e fundit.
Atë që kërkuan edhe në takimin me drejtuesin e lartë të policisë së Shtetit, Muhamet Rrumbullaku.