Kreu i Rithemelimit, Sali Berisha në një deklaratë për mediat ka komentuar sërish lidhur me rritjen e pagave të ministrave, ku u diskutua edhe në Kuvend. Jashtë ambienteve të këtij institucioni Berisha ka theksuar se kjo përpjeke e qeverisë është cinike, pasi sipas tij kjo nismë duhet nisë me minimumin jetik nga poshtë-lart. Ai akuzoi ndër të tjera qeverinë se ka vjedhur xhepat e qytetarëve.
“Një farsë e turpshme me përmasa cinike të një cinizmi dhe pashpirtësie dhe hipokrizie të paparë u zhvillua sot në parlament. Pasi mashtroi shqiptarët, duke paraqitur rrogën e presidentit, të admiralit dhe të Rezartit, të gjitha këto nga 2.2 në 4.6 milionë lekë rritje, solli në parlament një ligj, në të cilin ata që janë më në nevojë, largimi i të cilëve po shkatërron Shqipërinë, mjekët, mësuesit, policët, ushtarakët, përfitojnë një rritje 1 përqind ose minus 1 përqind.
Një akt i tillë është jashtë çdo imagjinate. Një cinizëm i tillë ndaj punonjësve të këtij vendi, tejkalon çdo cak. Kam qenë dhe do jem gjithnjë për rritjen e rrogave, kjo nuk ka diskutim. Nëse ka një faktor shkatërrimtar për këtë vend, kjo është ngrirja e rrogave.
Por sot kjo farsë, ky akt ku dyfishohen rrogat e zyrtarëve më të lartë dhe rriten me 1 përqind ose zbresin- se kjo është përllogaritja me inflacionin e INSTAT, se me përllogaritjen e EuroStat, rënia është më e madhe se kaq. Kam insistuar se ky proces të fillojë me vendosjen e minimumit jetik prej 200 eurosh. Ky duhej të ishte akti i parë për t’i dhënë përgjigje kësaj situate të rëndë, këtij mjerimi të frikshëm të krijuar në Shqipëri.
Në vend që të fillonte me vendosjen e minimumit jetik, që do i jepte përgjigjen përfundimtare ndihmës ekonomike dhe pensioneve nën 200 euro dhe bënte një zbutje të mjerimit, minimumi jetik zhduk mjerimin në kuptimin e varfërisë ekstreme. Ishte një masë plotësisht e mundshme, kur dihet që qytetarëve u vidhet çdo vit dyfishi i fondit të përgjithshëm të rrogave. Kjo u mbyll në mënyrën më të turpshme nga njerëzit që vjedhin shqiptarët nga mëngjesi deri në darkë.Ne nuk do e votojmë.”, deklaroi Berisha.