Kryetari i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Gazment Bardhi gjatë fjalës së tij në Kuvend ngriti disa pyetje që lidhen me burimin e të ardhurave për rritjen e pagave. Sipas tij, qeveri hesht dhe nuk jep asnjë sqarim se ku do t’i gjejë paratë.
Bardhi u shpreh se nuk ka asnjë qeveri në botë që merr një vendim për rritje page pa u konsultuar me shumë faktorë. Gazment Bardhi tha se Rama duhet të sqarojë rritjen e pagave, por edhe nëse do të ketë rritje taksash apo jo.
Pjesë nga fjala e Bardhit: “Sot akoma nuk e dimë se cili është burimi i të ardhurave. Po çfarë ndodhi? Zbuluam puse nafte, zbuluam miniera ari? Asgjë nga këto nuk ndodhi. Zbuluam një qeveri që përdor paratë e taksapaguesve shqiptarë vetëm sipas nevojave elektorale.
Nuk ka asnjë rast në botë që të marrë një vendim pa u konsultuar me shumë faktorë duke marrë edhe më shumë kohë.
Rritja e pagave nuk është surprizë nuk mbahet sekret nga qeveria dhe askush nga evropiane nuk sillet si prestigjtorë duke nxjerrë nga kapelja dhuratën e rritjes së pagave vetëm disa ditë para zgjedhjeve
Do të ketë rritje taksash për financimin e kësaj rritje? Qeveria hesht. Askush nuk thotë asgjë, por mos vini bast, Edi Rama ndryshe thotë dhe ndryshe bën.
Do të ketë ulje të informalitetit? As mos e prisni një gjë të tillë.
Tatimet do mbledhin më shumë para? Deri tani nuk ka asnjë përmirësim që të mbështesë këtë tezë.
Do të ketë më pak kontrabandë në dogana? Larg qoftë që Rama të prekë anijet e kontrabandës së karburanteve të oligarkëve me të cilët ndan pasuritë e vendit
Do të ketë ulje të korrupsionit nga tendera? Mos e dhëntë zoti për këtë qeveri.”