Teksa turet kulturore në doza të moderuara ishin përfaqësuesit tipikë të turistëve në muajt e parë të vitit, me rritje të dukshme më pas në maj-qershor kur nisnin charterat e parë me pjesën e organizuar, duket se viti 2023 ka përmbysur këtë situatë.
Flukset turistike në rritje janë raportuar që në muajt e parë të vitit, ku sipas shifrave të Institutit të Statistikave, në janar-prill kanë hyrë në vendin tonë rreth 1.7 milionë të huaj.
“Numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 614.256. Ky numër është rritur me 52,8%, krahasuar me Prill 2022. Gjatë katërmujorit të parë 2023, numri i shtetasve të huaj që kanë hyrë në territorin shqiptar është 1.684.820. Ky numër është rritur me 57,0%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit 2022”, vlerëson INSTAT.
Numri i shtetasve të huaj që kanë vizituar Shqipërinë gjatë muajit prill është dyfishuar krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë.
Hyrjet në total të shtetasve shqiptar dhe të huaj në territorin shqiptar në muajin Prill 2023 janë 1.161.729, një rritje prej 39,5% krahasuar me Prill 2022.
Tashmë në zonën e Durrësit raportohet se kanë mbërritur turistët e parë nga vendet e Europës Qendrore ku dominojnë polakët. Këta të fundit janë grupi i turistëve të organizuar me rritje të ndjeshme të kontratave me garanci me strukturat akomoduese në vend.
Por cilët janë turistët apo rajonet nga kanë ardhur këta të fundit në muajt e parë të vitit.
“Në prill 2023, rajoni me numrin më të lartë të hyrjeve të shtetasve të huaj në Shqipëri është rajoni i Evropës me 590.603 shtetas, pasuar nga Amerika dhe Azia Lindore / Paqësori, përkatësisht me 14.012 dhe 4.913 shtetas” thuhet në publikimin e INSTAT.
Në prill 2023, krahasuar me Prill 2022, hyrjet e shtetasve të huaj janë rritur:
- për qëllime personale me 53,7%;
- për qëllime pushime, vizitë tek të afërm, etj. me 54,5%;
- për biznes dhe qëllime profesionale me 13,9%.
Daljet e shtetasve
Ashtu sikurse ka një rritje të dukshme që atyre që po vijnë drejt Shqipërisë duket se ka një tendencë në rritje të shqiptarëve që po preferojnë destinacionet jashtë vendit.
Daljet e shtetasve shqiptarë nga territori i Shqipërisë, gjatë muajit prill 2023 janë 563.428. Krahasuar me prill 2022, ky tregues është rritur me 25,4%. Daljet e shtetasve të huaj nga territori i Shqipërisë gjatë muajit Prill 2023, janë 583.726.
Krahasuar me prill 2022, ky tregues është rritur me 51,5%. Numri i shtetasve shqiptarë të dalë nga territori i Shqipërisë gjatë katërmujorit të parë 2023, është 1.957.678, duke u rritur me 30,3%, krahasuar me të njëjtën periudhë të një viti më parë./ Monitor