Europol njoftoi sot se janë arrestuar 37 anëtarë të një grupi kriminal nga Ballkani Perëndimor, i cili merrej kryesisht me kontrabandën e drogës dhe armëve të zjarrit në të gjithë Evropën.
Sipas njoftimeve, 15 nga 37 të dyshuarit u arrestuan gjatë kontrolleve të një dite më parë, të cilat u kryen njëkohësisht në Kroaci, Slloveni, Bosnje dhe Hercegovinë, Holandë, Itali, Belgjikë dhe Gjermani.
Veprimet janë koordinuar nga posta komanduese në Zagreb, me mbështetjen e oficerëve të Europolit të dislokuar në terren. Grupi drejtohej nga një shtetas i Bosnjë-Hercegovinës, i cili aktualisht po vuan dënimin me katër vite burg në Itali.
Ai vazhdoi të organizonte veprimtari kriminale nga qelia e tij e burgut, nga ku besohet se jepte rregullisht urdhra dhe udhëzime për vartësit e tij. Gjatë kontrollit, ndër të tjera u sekuestruan 148 mijë euro, 18 armë zjarri, mes tyre dy automatikë dhe 2512 copë municione.
Gjithashtu janë sekuestruar 15 kilogramë kokainë, 11 kilogramë heroinë, 3 kilogramë amfetaminë, 7 kilogramë marijuanë dhe 10 kilogramë hashash, raporton “Euronews.rs”.
Ky aksion ndërkombëtar pasohet nga një hetim kompleks i udhëhequr nga Administrata Kryesore e Policisë Kroate, në kuadër të Grupit Operativ të “Kartelit Ballkanik”, thuhet në njoftimin për shtyp të Europol.
Europol ka krijuar më parë Grupin Operativ të Punës “Balkan Cartel”, i cili mbledh së bashku hetues nga e gjithë Evropa dhe bota, për të trajtuar në mënyrë efektive kërcënimet që vijnë nga ky rajon. Në kuadër të punës së këtij grupi, së fundmi në Serbi u shpërbë organizata më e madhe e trafikut të drogës në Ballkan.