Të shtënat në kufi/ Policia: Arrestohen 6 shtetas sirianë dhe algjerianë, u ndoqën pasi…

Në kufirin Shqipëri-Kosovë një grup kriminal i trafikut të qenieve njerëzore ka hapur zjarri ndaj policisë. Në kuadër të operacionit të koduar “Strukturimi” u arrestuan 6 persona, sirianë dhe algjerianë, të cilët organizonin dhe drejtonin trafikun e klandestinëve të armatosur.

Grupi trafikonte emigrante nga vendet e treta, nga Greqia për në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi, me destinacion final shtetet e BE-së.

Policia bën me dije se personat, në tentativë për t’i shpëtuar uniformave blu kanë hapur zjarr ndaj tyre. Pas disa orësh ndjekje nga shërbimet e policisë  u bë e mundur kapja dhe arrestimi i 6 prej tyre, si dhe shpallja në kërkim e një shtetasi tjetër.

Njoftimi i policisë:

Në operacion, Drejtoria Vendore e Policisë Kukës, Policia Kufitare e DVKM Kukës dhe Policia e Kosovës.

Goditet një grup i strukturuar kriminal që organizonte dhe drejtonte një rrjet të trafikut ndërkombëtar të emigrantëve nga vendet e treta, nga Greqia për në Shqipëri, Kosovë dhe Serbi, me destinacion final shtetet e BE-së.

Të armatosur organizonin dhe drejtonin veprimtarinë kriminale të kalimit të paligjshëm të emigrantëve nga vendet e treta, përmes kufijve të gjelbër, mes Greqisë, Shqipërisë, Kosovës dhe Serbisë, vihen në pranga 6 shtetas sirianë dhe algjerianë, si dhe shpallet në kërkim një shtetas tjetër algjerian.

Në tentativë për t’i shpëtuar Policisë, disa prej këtyre shtetasve kanë hapur zjarr ndaj punonjësve të Policisë, duke rrezikuar seriozisht jetën e punonjësve të Policisë.

Pas disa orësh ndjekje nga shërbimet e Policisë vendore dhe kufitare të Kukësit, duke koordinuar veprimet me Policinë Kufitare të Kosovës, u bë e mundur kapja dhe arrestimi i 6 prej tyre, si dhe shpallja në kërkim e një shtetasi tjetër.

Vijon kontrolli i zonës për gjetjen e armëve të zjarrit të përdorura në këtë rast, si dhe për kapjen e shtetasit të shpallur në kërkim.

Shërbimet e DVP Kukës, në bashkëpunim me Policinë Kufitare të PKK Morinë, në vijim të punës për goditjen e veprimtarisë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve, për kalim të paligjshëm të kufirit, bazuar dhe në informacionet e siguruara për një grup të mirëstrukturuar kriminal që organizonte dhe drejtonte këtë veprimtari kriminale, kundrejt fitimeve, kanë organizuar dhe zhvilluar operacionin policor të koduar “Strukturimi”.

Në fshatin Morinë, në kufirin e gjelbër me Kosovën, shërbimet e Policisë kanë lokalizuar grupin e shtetasve të huaj që ushtronte veprimtarinë kriminale të dhënies ndihmë emigrantëve nga vendet e treta, për kalim të paligjshëm të kufirit.

Shërbimet e Policisë iu kanë bërë thirrje këtyre shtetasve, që të ndalojnë, por disa prej tyre kanë hapur zjarr në drejtim të punonjësve të Policisë duke rrezikuar seriozisht jetën e punonjësve të Policisë.

Menjëherë është komunikuar me Policinë Kufitare të Kosovës, me qëllim bllokimin e kufirit në anën e Kosovës, dhe pas disa orësh ndjekje, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur kapjen dhe prangosjen e 6 prej tyre.

Në vijim të veprimeve procedurale për këtë rast, specialistët për Hetimin e Trafiqeve të Paligjshme dhe Narkotikëve të DVP Kukës arrestuan në flagrancë, për veprat penale “Vrasja e punonjësve të Policisë së Shtetit”, mbetur në tentativë, kryer në bashkëpunim, “Prodhimi dhe mbajtja pa leje e armëve, armëve shpërthyese dhe municionit” dhe “Ndihma për kalim të paligjshëm të kufijve”, shtetasit :

-A. B., 27 vjeç, me shtetësi algjeriane, si dhe M. N., 25 vjeç, N. A., 20 vjeç, M. Sh., 21 vjeç, M. R., 20 vjeç dhe R. L., 40 vjeç, të pestë me shtetësi siriane.

Gjithashtu, në kuadër të këtij operacioni, u shpall në kërkim shtetasi S. G., 27 vjeç, me shtetësi algjeriane.

Operacioni “Strukturimi” vijon për gjetjen e armëve të zjarrit të përdorura në këtë rast, si dhe për kapjen e shtetasit algjerian të shpallur në kërkim.

Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Kukës, për veprime të mëtejshme.

 

Share This Article
Leave a comment

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *